Arben Gashi konfirmon se Amerika ka paralajmëruar sanksione ndaj Kosovës


Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka konfirmuar që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka paralajmërime për sanksione ndaj Kosovës.
Ai ka deklaruar se edhe partia e tij, që qeveris vendin bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje, është informuar për masat ndëshkuese që mund t’i ndërmarrë Uashingtoni zyrtar, për shkak të mosheqjes së plotë dhe pa kushte të tarifës prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia.

“Nuk dëshiroj ta shoh Kosovën në atë gjendje ku partneri ynë strategjik vendos sanksione”, është shprehur fillimisht Gashi në KTV.
“Kosova është projekt i përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar ai.
I pyetur nëse janë të vërteta paralajmërimet për sanksione, ai është përgjigjur: “Ka zëra për diçka të tillë. Kanë ardhur ato zëra në të gjitha institucionet… edhe në LDK”.

Sipas tij, bëhet fjalë për mundësinë e “rikonsiderimit të përkohshëm të projekteve në Kosovë”.
Megjithatë, ai ka thënë se beson që një gjë e tillë do të shmanget dhe nuk do të ndodhë. “Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e partneritetit me SHBA’në. Është jetik për Kosovën”, ka vlerësuar Gashi.