Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka folur për kohën e rrëzimit të Qeverisë Kurti 1, duke rrëfyer për herë të parë që çdo ditë vinte nga një mesazh nga i dërguari special i Presidentit të SHBA-ve, Richard Grenell.
Gashi këto komente i bëri në emisionin Politiko në Kanal 10, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit Halil Matoshi, i cili pyeti se a kishte pasur presion për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
“Ne kemi pasur në mënyrën e qartë dhe të saktë të shkruar se kemi pasur shtatë ditë me rrëxu Qeverinë. Çdo ditë ka ardhur mesazh “6, 5, 4 nga zoti Grenell” – tha ai.
“Ne e kemi paguar çmimin për atë punë. Është mbyllur ajo dhe i takon të shkuarës. Zotëri Kurti ka një Qeveri, ka një rezultat të jashtëzakonshëm në zgjedhje me 14 shkurt. Po mundohemi që të i japim shanse zotit Kurti në Qeveri, ta korrektojmë ku gabon. Por qasja e tyre është shumë agresive” – vijoi Gashi.