Arabia Saudite prish raportet tregtare me Turqinë, pezullon importin e disa produkteve

Arabia Saudite zyrtarisht e ka ndërprerë importimin e mishit, vezëve dhe disa produkteve tjera nga Turqia, bëri të ditur Shoqata e Eksportuesve Turq. Ky veprim erdhi pas një muaji të bojkotimit joformal të produkteve turke në Arabinë Saudite për shkak të tensioneve politike mes dy vendeve, shkruan Reuters.

Eksportuesit turq kanë raportuar shtim të pengesave për të bërë tregti në Arabinë Saudite pasi biznesmenët në këtë shtet bënë thirrje për ndalim të importeve turke në kohën kur marrëdhënies mes dy shteteve janë përkeqësuar.

Ndonëse edhe më parë ishin të tensionuara për shkak të ambicieve për të garuar për ndikim rajonal, këto raporte u futën në krizë dy vjet më parë, kur agjentët sauditë e vranë gazetarin e njohur, Jamal Khashoghi, në konsullatën saudite në Stamboll.

Ankaraja ka thënë se nga Riadi është informuar se nuk ka bojkotim formal, por shoqata e eksportuesve tha se është informuar nga Ministria e Tregtisë e Turqisë se importimi i disa mallrave turke është suspenduar më herët këtë muaj.

“Importimi nga vendi ynë i mishit të kuq dhe nënprodukteve të tij, mishit të bardhë dhe nënprodukteve të tij, vezëve, mjaltit dhe nënprodukteve të tyre, qumështit dhe produkteve alternative për qumështin e gjirit është pezulluar nga 15 nëntori”, thuhet në një dërgesë elektronike që shoqata e eksportuesve ua dërgoi anëtarëve të saj. Askush në Ambasadën e Arabisë Saudite në Ankara nuk ka qenë i qasshëm për t’u kontaktuar, ndërsa as Ministria e Tregtisë e Turqisë nuk ka dhënë ndonjë deklaratë zyrtare për këto zhvillime.