Arabia Saudite mohon secilën lidhje të saj, me vrasjen e dy motrave saudite të cilat studionin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), raporton Anadolu Agency (AA).
Talal Farea, 16 vjeç, dhe motra e saj Rotana, 22 vjeç, u gjetën të vdekura në lumin Hadson, të lidhura njëra me tjetrën.
Mediat amerikane thonë se motrat në fjalë kishin aplikuar për azil politik në SHBA.
Raportet mediatike thonë se familjarët e vajzave të vrara, i kanë thënë policisë se një zyrtar i ambasadës saudite u kishte telefonuar më 23 gusht, duke i urdhëruar vajzat të ktheheshin në Arabinë Saudite.
Pretendimet e tilla janë përgënjeshtruar nga zëdhënësja e ambasadës saudite. “Raportimet se ne kemi urdhëruar familjarët e vajzave të braktisin SHBA-të nga shkaku se kanë kërkuar azil, janë tërësisht të pavërteta”, shkroi në Twitter zëdhënësja e ambasadës, Fatimah Baeshen.
Javën e kaluar, konsullata saudite në New York tha se ka caktuar një avokat i cili do të ndjek rastin, duke theksuar se bëhet fjalë për shtetase saudite të cilat kanë studiuar në SHBA.
Arabia Saudite akoma është në qendër të vëmendjes botërore, si pasojë e vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, në konsullatën saudite në Stamboll.
Khashoggi, një kolumnist për “The Washington Post”, u zhduk më 2 tetor pasi hyri në konsullatën saudite në Stamboll, ku kishte shkuar për të marrë dokumentet e nevojshme për kurorëzimin me të fejuarën e tij turke