Arabi Saudite, për 1 orë mblidhen 125 milionë dollarë ndihma humanitare

Në Arabinë Saudite, familja mbretërore dhuroi 18 milionë e 700 mijë dollarë për fushatën e ndihmës humanitare në vend.

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare të lajmeve të Arabisë Saudite SPA, Mbreti Salman bin Abdulaziz Al Saud dhe Princi i Kurorës Mohammed bin Salman drejtuan “Fushatën Kombëtare të Ndihmës për Bamirësi” të organizuar nga “Institucioni Ihsan”.

Njoftohet se fushata e ndihmës, në të cilën Mbreti Salman dhuroi 40 dhe Princi i Kurorës Bin Salman 30 milionë rialë, filloi me 70 milionë rialë (rreth 18 milionë e 700 mijë dollarë) dhe arriti në 469 milionë rialë (afërsisht 125 milionë dollarë) për një orë.

Drejtori i Institucionit Ihsan, Ibrahim al-Huseyni, i cili organizoi fushatën, tha se pjesa e tretë e Fushatës së Ndihmës Kombëtare për Bamirësi, e cila u mbajt edhe në vitet e kaluara, filloi me ardhjen e 10 ditëve të fundit të Ramazanit dhe donacionet ishin të mbledhura përmes telefonit dhe internetit për fushatën që do të vazhdojë deri në fund të muajit.

Si pjesë e Fushatës së Ndihmës Kombëtare për Bamirësi, e cila filloi për herë të parë në vitin 2021 dhe mblodhi 700 milionë rialë (rreth 186 milionë dollarë), vitin e kaluar u dhuruan 800 milionë rialë (afërsisht 213 milionë dollarë).

Sipas të dhënave zyrtare të Arabisë Saudite, 4 milionë e 800 mijë persona kanë përfituar nga ndihmat e mbledhura në kuadër të Fushatës Kombëtare të Ndihmës për Bamirësi.