Ar kundër kancerit, shkencëtarët izraelitë bëjnë eksperimentin e rrallë

Lufta ndaj kancerit është një luftë e hapur dhe shumëvjeçare për shkencëtarët. Së fundmi disa studiues në Izrael po zhvillojnë kërkimet për të shëruar kancerin, ku sipas disa hulumtimeve në Fakultetin e Mjekësisë “Sackler” të Universiteti të Tel Avivit, është arritur edhe në disa konkluzione.

Ata zhvilluan një eksperiment të bazuar mbi përdorimin e medikamenteve vetëm mbi indet e sëmura, duke përdorur grimca drite dhe ari, të cilat mund të përdoren për të bërë më të efektshme trajtimet e kancerit.

Studiuesit kryesisht kanë për qëllim luftimin e kancerit të kokës dhe qafës apo ato që prekin gojën, hundën, fytin dhe kryesisht shkaktohen nga përdorimi i alkoolit dhe duhanit.

“Një nga problemet kryesore në trajtimin e këtyre tumoreve është rezistenca e tyre ndaj radioterapisë tradicionale. Rreth 40% e pacientëve vdesin, madje edhe pas marrjes së trajtimit agresiv”, tha për gazetën “Times of Israel”, Aron Popovtzer, profesor i onkologjisë në Fakultetin Mjekësor “Sackler”, i cili udhëhoqi studimin.

Qëllimi kryesor i studimit është të zhvillojë një mënyrë për të kapërcyer këtë rezistencë duke rritur sasinë e rrezatimit që mund të absorbohet nga tumori.

“Nga studimet e mëparshme ne e dinim se ari ndihmon në rritjen e intensitetit të rrezatimit të absorbuar nga tumoret. Por nëse futni grimca ari në një person, ai mund të shkojë kudo. Zgjidhja ishte që ari të depozitohej drejtpërdrejt në tumore”, i tha “Times of Israel”, profesor Popovtzer.

Hulumtuesit pastaj u përpoqën të lidhnin grimca të vogla të ari – nanogrimcat që mund të blihen komercialisht – tek një ilaç që zakonisht përdoret për të trajtuar tumoret, cetuximab.

Ndërsa ilaçi synon tumoret, duke i zvogëluar ato, ai gjithashtu depoziton mbetje ari në tumor.

Testi fillimisht është kryer tek minjtë ndërsa arritën në konkluzione pozitive duke vërejtur se prania e arit në tumor përmirëson efektin e rrezatimit dhe gjithashtu nuk është gjetur ndonjë efekt negativ nga përdorimi i arit në mëlçi ose veshka.

Ekipi i studiuesve tani po planifikon të përdorë rezultatet e mira të fituara me eksperimentimin njerëzor.

Në studimi mbi zbatimin e nanogrimcave të arit kundër kanceri, morën pjesë edhe kërkuesit nga Qendra Davidoff e Rabin Medical Center, nga Fakulteti i Inxhinierisë dhe Instituti i Nanoteknologjisë dhe materialeve të avancuara të Universitetit Bar Ilan në Ramat Gan.