Gjykata e Apelit në Shkup ka miratuar vendim për rastin “Monstra”, pas mbajtjes së seancës publike më 18 mars të këtij viti, por i njëjti nuk mund të bëhet publik, pasi që ende nuk është shkruar dhe nënshkruar, njofton Portalb.mk.
“Ju informojmë se lënda KOK-66/17 e Gjykatës Themelore Penale të Shkupit është dorëzuar për vendosje pas ankesës në Gjykatën e Apelit dhe është me numër KOKZH-109/21, për këtë lëndë është mbajtur seancë publike dhe vijon përgatitja e vendimit të shkallës së dytë në formë të shkruar, për përgatitjen e të njëjtës nevojitet periudhë e gjatë kohor për arsye se bëhet fjalë për lëndë me karakter të komplikuar”, thonë nga Apeli.
Portalb.mk, diskutoi edhe nëpërmjet telefonit me zëdhënësen e Gjykatës së Apelit, e cila tha se tani shumica e gjykatësve janë në pushim dhe se lënda në fjalë duhet të jetë gati gjatë muajit shtator.
Ndryshe, më 23 shkurt, Gjykata Penale e Shkupit miratoi aktgjykim, për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, të njohur në opinion si rasti “Monstra”, ashtu siç propozoi Prokuroria dhe i shpalli fajtorë gjithsej 5 persona. Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq (të cilët janë në arrati në Kosovë) bashkë me Agim Ismailloviqin, u dënuan me burgim të përjetshëm për veprën “terrorizëm”, Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burg për “ndihmë”, ndërkaq Haki Aziri u dënua me 9 vjet burg, gjithashtu për ndihmë. I akuzuari Sami Luta u shpall i pafajshëm, pasi që Prokuroria e tërhoqi akuzën në mungesë të provave. Mbrojtja e kundërshtoi vendimin.
Nën organizim të familjarëve të të dënuarve, më 26 shkurt u mbajtën protesta në Shkup. Protesta filloi në Çair dhe destinacion kishte Qeverinë, por Policia vendosi disa kordonë policorë te Q.T. Mavrovasja për t’i ndaluar protestuesit për dhe reagim nga disa prej protestuesve të cilët i gjuajtën forcat policore me gurë dhe gjësende. Nga përleshja u lënduan njëmbëdhjetë policë dhe u sulmua ekipi i gazetarëve të MIA-s.
Për këtë, janë arrestuar 12 protestues, a për 5 persona është shqiptuar paraburgim. Paraprakisht më 29 janar, pasi Prokuroria i dha fjalë përfundimtare dhe kërkoi të shpallen fajtorë të akuzuarit, familjarët dolën në protestë kundër prokurores Fatime Fetai.