Apelet e qeverisë te një pjesë e tetovarëve hasin në vesh të shurdhër (VIDEO)

Pavarësisht apeleve të vazhdueshme të institucioneve, radhë të gjata dhe turma njerëzish edhe sot përpara shumë institucioneve në Tetovë. Shumica e qytetarëve nuk respektojnë as masat për distancë sociale por nuk përdorin as maska dhe doreza.

Nuk ndihmuan as thirrjet e sigurimit për mbajtje të distancës, po as prezenca e policisë.

Si pasojë e pritjeve, disa qytetarë humbën edhe durimin.

“Ju që jeni atje largohuni pak bëni hapësirë. Më tutje ju, edhe ju më tutje, dilni në trotuar poshtë, mbani distancën”.

“Maska, Maska, po të marr pensioni dhe të shkoj të blej maskë, me çka të blej maskën. E di unë çka kërkon Ligji, doreza kam po goja do të mbyllet po me çka të blej”.

Nuk mungonin as personat që ironizojnë me virusin.

“Unë kam 40 shtëpi të familjes në Itali, jam i anës Rekës së Dibrës, asnjë nuk është i sëmurë në Itali, nuk i zë besë fort kësaj pune. Po më mirë të na i sjell posta, të bëjnë diçka me komunën se kështu sëmuren më tepër njerëz”.

“Nuk frikem unë nuk i trembem atij rreziku. Duhet të kenë punëtor brenda, mos presin këta njerëz këtu”.

“Distanca katastrofave është para bankës këtu, rreziku është tepër i madh. Këtu duhet të marrin masa edhe policia po edhe drejtorët e filialeve këtu”.

Situatë e ngjashme edhe para postës së Tetovës, ku përveç sigurimit, policisë, kishte dalë edhe vetë drejtori i saj në tentim për të mbajtur rendin.

“Ja si e shihni kemi këtu edhe nga organet e policisë që kudjestarojnë por tek e fundit është në pyetje edhe vetëdija e njeriut. Nuk mund të ndeshemi fizikisht me ata. Edhe pse mundohemi të bëjmë të pamundurën duke kujdestaruar te dera e hyrjes, bëjmë brenda ditës disa herë dezinfektimin katër apo pesë herë që të ndjehemi sa më të sigurt, por kot shumë pak e respektojnë” – deklaroi Murtezan Iljazi, drejtor i Postës.

“Turma të mëdha njerëzish nuk ka vetëm para bankave, postës dhe institucioneve tjera, nga dita e sotme ka filluar që grumbullime të ketë, edhe përkundër apeleve të shumta, dhe vendimit të qeverisë, siç e shihni, edhe nëpër parqe dhe në Sheshin e qytetit”.