Apel nga Klinika Infektive: Mos ejani nëse nuk keni shenja të Koronavirusit, rrezikoni të infektoheni

Sëmundja infektive e Koronavirusit ka alarmuar botën anembanë. Megjithëse në Kosovë ende nuk është regjistruar asnjë rast, qytetarët janë shumë të shqetësuar dhe frikësuar për mundësinë e prekjes nga ky virus.

Infektologu në Klinikën Infektive, Valbon Krasniqi ka bërë një apel për qytetarët që të ruajnë qetësinë .

Krasniqi ka bërë thirrje që qytetarët të telefonojnë në numrat e telefonit të vendosur në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë dhe mos të paraqiten në Klinikë nëse nuk kanë shenja të sëmundjes sepse rrezikojnë aty të infektohen.

“Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion një linjë telefonike me pesë numra që do të thotë pesë persona munden njëkohësisht mundem me marrë informata. Të gjithë qytetarët që kanë simptoma të gripit, që mendojnë se kanë pas kontakt me një person të dyshimtë apo që kanë ardhë prej shteteve të tjera që duan të bisedojnë me personel mund të thirrin në ato numra pa pas nevojë me ardhë me ju ekspozo rrezikut të infeksionit nëpër klinika. Veç personat që kanë simptoma të gripit edhe kanë histori të udhëtimit ose kontaktit me njerëz që kanë qenë të sëmurë atëherë preferohet me ardhë me u vizitu. Të tjerët duhet të vetizolohen në shtëpi dhe të zbatojnë masat që ka marrë Qeveria” ka thënë Krasniqi.Ai tutje ka treguar se ka shumë qytetarë që paraqiten në Klinikën Infektive për të bërë analizat pas frikës nga përhapja e këtij virusi.

“Çdo ditë qytetarë të Kosovës por edhe shtetas të huaj që kanë qenë nëpër shtetet e tjera vijnë të shqetësuar në Klinikën Infektive se kanë dyshime se janë infektuar. Ne i ndalojmë kur ka arsye edhe i presim më tej përgjigjet e analizave. Të gjithë qytetarët që vijnë ditën paraprake të nesërmen marrin rezultatet zyrtare”Kosova dhe Mali i Zi janë të vetmet vende në Ballkan që akoma nuk janë prekur nga virusi Kovid 19, ndërsa shtetet e tjera të rajonit po bëjnë një luftë të ashpër me këtë sëmundje.