Anulohet takimi mes partive shqiptare, opozita refuzoi pjesëmarrjen

Eshtë anuluar takimi mes pëfaqësuesve të partive shqiptare që ishte caktuar të mbahej sot në nivel të sekretarëve të përgjithshëm. Në këtë takim ishin ftuar pëfaqësuesit e BDI-së, ASH-së, AAA-së, Lëvizja BESA dhe PDSH-së.
Por, pëfaqësuesit e partive opozitare shqiptare ASH dhe AAA, thanë se nuk do të marrin pjesë dhe nismën për këtë takim që erdhi nga BDI-ja, e cilësuan si të vonuar.

“Për arsye që ne si subjekt politik si dhe si koalicion veçse kemi formuar shtabe për senzibilizimin e qytetareve mbi procesin e regjistrimit, konsiderojme qe një takim i këtillë është i vonshëm dhe i njëjti është dashur të behet atëherë kur kishim kërkuar d.m.th para sjelljes së ligjit për regjistrim ku do të ishin diskutuar dhe marrë parasysh edhe vërejtjet tona”, tha sekretari i Alternativës, Skender Rexhepi-Zejd.
“Tash më është vonë, takimi duhej te realizohet para sjelljes së ligjit për regjistrim dhe metodologjisë së regjistrimit. Tani në këtë fazë kur shtabi ynë i ASH-së dhe AAA-së për regjistrim punon me efikasitet të madh dhe kur mërgimatarët regjistrohen masovikisht,

nuk jemi të interesuar për një fotografim me Artan Grubin, i cili në kontinuitet po tenton të përvetëson këtë proces si e arritur e BDI-së, e në ndërkohë pa mos sqaruar ende pse dështoi regjistrimi i vitit 2011”, ka theksuar Arben Taravari.

Takimi ishte thirrur për zhvillimet aktuale që kanë të bëjnë me regjistrimin e popullsisë dhe zhvillimet e tjera aktuale në Maqedoninë e Veriut. I njejti ishte caktuar të mbahej disa orë para takimit midis krerëve të dy partive më të mëdha maqedonase, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski.