Anulohet takimi i sekretarëve shqiptarë! Grubi ndjen keqardhje, Zejdi thotë se takimi është i panevojshëm

Dështoi takimi i sekretarëve të partive politike shqiptare i thirrur nga sekretar i përgjithshëm i BDI-së Artan Grubi.
Grubi iu bëri thirrje për tu ulur për të biseduar mbi temën e regjistrimit të popullsisë, por Skender Rexhepi dhe Arben Taravari nuk ju përgjigjën kësaj ftese.
Koalicioni AAA-ASH një takim të tillë nuk e sheh të nevojshëm. Rexhepi nga ky koalicion thotë se mbi këtë çështje duhej të diskutohej para miratimit të ligjit dhe jo tani.

“Pas gjithë asaj kohë kur ne si koalicion vetëm se më kemi themeluar shtabe lokale për sensibilizimin e qytetarëve mbi regjistrimin, konsiderojmë se një format i tillë i takimit është i panevojshëm. Për forma tjera të bashkëpunimit do t’i diskutojmë në ditët në vijim”, deklaroi Skender Rexhepi, koalicioni AAA-ASH.
Takimi ka qenë në vazhdën e takimeve me të gjithë ata që mund që të ndikojnë që në mënyrë masovike të regjistrohet qytetarët, tha sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Artan Grubi. Shtoi se si qëllim kishte të formohet një trup i cili do të merret me sfidat në terren në lidhje me regjistrimin.

“Më vjen shumë keq, me të vërtetë shpreh ke*qardhje të thellë për refuzimin e tyre për të marrë pjesë në këtë takim. Qëllimi ynë ishte shumë dashamirës dhe shumë i sinqertë që të gjithë të kyçemi në fushatën për regjistrimin e qytetarëve tanë. Nuk kishte asnjë prapavijë përveç se punës së përbashkët të të gjithë neve në funksion të regjistrimit të popullsisë”, tha Artan Grubi, sekretar i B DI-së.

Arjanit Hoxha, sekretar nga Lëvizja Besa thotë se është për të ardhur keq që nuk u realizua një takim i tillë në të cilin do të ishin diskutuar çështjet e rëndësishme të shqiptarëve. Mes tjerash shpreson që opozita të tejkalojë inatet politike për të dëshmuar se realisht kujdeset për interesat shqiptare.

“Me një opozitë e cila po mundohet me çdo kusht të vendos bll*okimin e çdo lloj institucioni dhe çdo lloj nisme, si një mekanizëm për të dëshmuar politikbërjen e tyre, nuk ka hapësirë për të bashkëbiseduar, respektivisht nuk shohim se ka vizion që ata duan të zgjedhin çështje të caktuara”, pohoi Arjanit Hoxha, sekretar i Lëvizjes Besa.

Kjo nuk është hera e parë që opozita shqiptarë nuk është ulur në një tavolinë me B DI-në. Rast i njëjtë ka ndodhur edhe me liderin e B DI-së, Ali Ahmeti i cili i kishte ftuar liderët e partive tjera që të falënderohet për avancimin e statusit të shqiptarëve, por asnjëri nuk ishte paraqitur në tavolinë.