Anulohet seanca gjyqësore për “Llaskarcën” rasti në procedurë dëshmuese

Pushimi mjekësor i njërit gjykatës në rastin “Llaskarca” e anuloi seancën e sotme gjyqësore për këtë lëndë. Debati i ardhshëm kryesor është caktuar për më 15 tetor. Avokati Delo Kadiev i cili është pjesë e mbrojtjes për këtë rast, deklaroi se bëhet fjalë për lëndë të rëndësishme dhe për këtë shkak ende zgjat gjykimi. “Prokuroria përfundoi me prezantimin e dëshmive. Në seancat e fundit ishte dëgjuar një ekspert i propozuar nga i akuzuari i parë. Kjo ka zgjatur katër-pesë ditë. Kishte shumë pyetje. Tani vijojnë propozimet e të akuzuarit të dytë”, tha avokati Kadiev.

Në procesin e deritanishëm gjyqësor për aksidentin në aksin rrugor Tetovë-Shkup, në afërsi të fshatit Llaskarcë, u prezantuan shumë dëshmi verbale dhe materiale. Një pjesë e dëshmitarëve gjatë shprehjeve të tyre në gjykatë paralajmëruan se do të kërkojnë dëm material mbi ndjekjen e tyre penale. Ndërsa të tjerët kërkuan vetëm kompensim të shpenzimeve mjekësore.

Njëherit ekspertizat e prezantuara nga ana e prokurorisë dëshmuan se shoferi i autobusit të “Durmo Turs”, ditën tragjike ka vozitur 99 km në orë, në vend se 80 km në orë aq sa është e lejuar për një autobus me peshë prej 15 ton. Gjykimin për këtë rast e udhëheq gjykatësja Diana Ilievska-Gruevska, ndërsa akuzën e përfaqëson prokurori Darko Jakimovski. Për aksidentin që ndodhi më 13 shkurt të këtij viti në fshatin Llaskarcë, në të cilën humbën jetën 16 person ndërsa 37 ishin me lëndime të rënda, janë akuzuar gjashtë persona.

Pronari i “Durmo Turs”, Durmish Beluli, përgjegjësi për transportin në formë Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoel Trifunovski akuzohen për vepra të rënda penale kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion dhe tre të punësuar në stacionin për kontrollim teknik Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski për pjesëmarrje në veprën e njëjtë.