Anulohet koncerti, por jo manifestimi qendror! Grubi thotë se do të mbahet sipas të gjitha protokolleve

Kritikat për manifestimin e 20-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit në kohë pandemia, zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi i quan si të pabaza sepse siç thotë manifestimi do të mbahet duke respektuar protokollet për mbrojte nga virusi korona, megjithatë tregon se do të anulohet koncerti i planifikuar!

“Ngjarja kryesore më 13 gusht që do të mbahet në “Aleksandar Palace” do të jetë në përputhje me të gjitha protokollet e parapara nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe komisioni ministrisë së Shëndetësisë, në një sallë ku i zë më shumë se 1500 veta, do të ketë jo më shumë se 200 veta prezent, të gjithë me maska, me temperaturë të matur dhe me distancë më së te nevojshme, ndërsa manifestimin e fundit me të cilin kishim për qëllim ta rrumbullakojmë shënimin e Marrëveshjes së Ohrit, koncertin madhështor në sheshin “Maqedonia”, kemi vendosur ta anulojmë për arsye të rritjes së numrit të të infektuarve me virusin korona”, tha Grubi.

Këtë zëvendëskryeministri e tha pas panelit me temë “Pas dy dekadave, a është Marrëveshja Kornizë e ngushtë për një shoqëri plotësisht të hapur të barabartë?”, organizuar nga Universiteti i Evropës Juglindore, rektori i të cilit, Abdylmenaf Bexheti tha se asgjë nuk ka të përkryer dhe se mund të bëhet më mirë.

“Ju kishit mundësi që ta ndiqni këtë debat dhe vlerësimit dhe dilemat me aspekte të ndryshme e bënë këtë debat edhe më produktiv dhe konstruktiv se asgjë nuk ka të përkryer që mund të bëhet edhe më mirë”, deklaroi Bexheti.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri dhe ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Grubi theksoi rolin e jashtëzakonshëm të UEJL-së që nga themelimi i tij me kuadrot që i ka dhënë vendit në implementimin e parimeve të Marrëveshjes së Ohrit për sigurimin e barazisë dhe të drejtës së arsimit sipëror në gjuhën amtare.

“Unë gjithmonë them se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është i përditshëm edhe i përjetshëm dhe nuk mund të kryhet asnjëherë se behët fjalë për zbatimin e kushtetutës dhe zbatimin e ligjeve që ne i kemi obligim si qytetar dhe si institucione. Dhe gjithmonë ka hapësirë për të bërë më tepër si në përfaqësimin adekuat, si në zhvillimin barabartë rajonal, por bashkë më këshillat e zotëri Bexhetit jemi duke zhvilluar një model për zhvillimin e barabartë rajonal dhe për ndarjen e të mirave buxhetore”, shtoi Grubi.
Grubi edhe një herë ftoi të gjithë liderët, sidomos ata të opozitës, që të marrin pjesë në manifestimin e 20 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, duke thënë se kjo marrëveshje u përket të gjitha partive politike.