Nga 1 janari 2021 në Gjermani hyn në fuqi pjesa vijuese e Rregullores së Ballkanit Perëndimor sa i përket punësimit.
IndeksOnline ka mësuar se kosovarët që kanë pasur termine për vizë pune në ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë i kanë humbur ato dhe se nga 1 janari 2021 do të këtë një rregullore të re për ata që kanë interes që të punojnë në këtë shtet.
Disa prej atyre që ishin në pritje për tu pajisur me viza pune tani po marrin e-mail/ njoftim nga ambasada gjermane se termini i tyre është anuluar për disa arsyeje.
Regjistrimet ekzistuese në listën e deritanishme të pritjes së datave të aplikimeve kanë patur vlefshmëri deri në datën 31.12.2020 vetëm për aplikimet sipas Rregullores së vjetër dhe nuk mund të merren më në konsideratë. Ju mund të regjistroheni për një datë aplikimi sipas rregullores së re në listën e re të datave të aplikimeve sapo kjo të jetë e disponueshme, transmeton IndeksOnline.
Për shkak të terminëve të shumta dhe së fundi si pasojë e COVID-19, aplikimet e parashtruara në vitet 2017- 2018 dhe 2019 kishin mbetur pa u shqyrtuar.
Përmes rregullores së re Qeveria Federale ka krijuar një akses të privilegjuar në tregun gjerman të punës edhe përtej vitit 2020 për shtetas nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kjo vazhdon të mbetet e vlefshme për çdo lloj vendi pune – pavarësisht kualifikimit të njohur. Kusht për dhënien e vizës mbetet miratimi i Agjensisë Federale të Punës.
Krahasuar me rregulloren pararendëse ka një element të ri si vijon: Brenda një viti kalendarik Agjensia Federale e Punës mund të lëshojë maksimalisht 25.000 miratime gjithsej për të gjashta vendet. Ky numër korrespondon deri diku me numrin e vizave të kësaj kategorie të lëshuara për vitin 2019. Kjo post-rregullore është e vlefshme deri në fund të vitit 2023.
Aplikimet mund të bëhen vetëm pranë përfaqësisë gjermane përgjegjëse në njërin nga gjashtë shtetet e përmendura, dhe jo direkt në Gjermani. Kjo do të thotë që të drejtën për të aplikuar e kanë vetëm ata shtetas me rezidencë të përhershme në njërin nga këto shtete.
Udhëtimet hyrëse me qëllim punësimin sipas § 26 kreu 2 të Urdhëresës për Punësimin do të jenë të mundura vetëm pas shfuqizimit të kufizimeve të udhëtimit të kushtëzuara nga pandemia në të gjithë BE-në. Një listë e re e datave të aplikimeve do të jetë e disponueshme vetëm pas heqjes së kufizimeve të udhëtimeve hyrëse për shkak të COVID-it. Caktimi i datës/orës së aplikimit, aplikimet për vizë dhe lëshimi i vizës do të ndërmerren më pas mbi bazën e kësaj liste të re. Sapo udhëtimet hyrëse të jenë sërish të mundura dhe lista e re e datave të aplikimeve të jetë online, do të merrni nga ambasada gjermane informacionin përkatës.
Në të ardhmen datat e aplikimit për vizë sipas § 26 kreu 2 të Urdhëresës së Punësimit do të jepen veçmas për çdo muaj. Nëse kërkoni të aplikoni për vizë atëherë duhet të regjistroni kërkesën tuaj për datë aplikimi në një listë në faqen e internetit të Ambasadës, e cila do të publikohet çdo muaj nga e para. Se cila do të jetë procedura në hollësi, kjo mbetet të sqarohet në momentin e duhur.