Komisioni Antikorrupsion është i gatshëm të monitorojë fushatën zgjedhore për të parandaluar keqpërdorimin e mundshëm të fondeve buxhetore. Për këtë qëllim, Komisioni ka angazhuar 20 vëzhgues në terren për të siguruar informacione mbi përdorimin e materialit reklamues, makinave zyrtare, hapësirave të zyrave për shtabe zgjedhore, si dhe financimin e partive politike. Ata thonë se askush nuk duhet të abuzojë me fondet e shtetit për fushatë zgjedhore.
Ne në faqen tonë të internetit gjithashtu kemi një ueb aplikacion për abuzim të makinave zyrtare që çdo qytetar që vëren se është duke u abuzuar ndonjë automjet zyrtar mund ta raportojë atë. Kemi edhe një ueb aplikacion që lejon denoncime për lloje të tjera abuzimesh …. Sa i përket financimit të fushatës zgjedhore ne jemi të lidhur me bankat, ku partitë kanë hapur llogari transaksionesh”-tha Biljana Ivanovska, kryetare e KSHPK.
Sot është dita e fundit e dekretit të Qeverisë për zgjedhjet i miratuar për shkak të pandemisë. Nga nesër, së bashku me fillimin e fushatës zgjedhore, do të kthehen disa nene të pezulluara të Ligjit për luftën kundër korrupsionit dhe Kodit Zgjedhor. Neni 34 i Ligjit Kundër Korrupsionit ndalon që me fonde nga buxheti dhe fonde publike të ndërtohen rrugë, ujësjellës, kanalizime, si dhe shkolla dhe kopshte, nëse paraprakisht për to nuk janë siguruar fonde nga buxheti. Nuk duhet të ketë as punësime të reja në administratë. Nga Kodi Zgjedhor, në skenë kthehen dhe nenet 8 dhe 8-a të cilat parashikojnë që ministrat dhe zëvendësit e tyre që janë kandidatë për deputetë, funksionet e tyre t’i kryejnë vetëm teknikisht. Ndër ndalesat janë pagesa urgjente të rrogave, pensioneve dhe ndihmës sociale. Nuk duhet të nënshkruhen as marrëveshje kolektive. Nga AntiKorrupsioni theksojnë se ata gjithashtu kanë mbështetje dhe nga platforma e shoqatave civile për luftën kundër korrupsionit.