Anti-korrupsioni shqyrton rastin “Ilievski”


Komisioni Anti-Korrupsion pritet të dalë gjatë javës së ardhshme me konstatimet finale nga çështja e ngritur lidhur me përparimin në tituj të profesorëve Arbër Ademi, Agim Nuhiu dhe Safet Emruli, njëkohësisht zyrtarë shtetërorë. Të pyetur nga Alsat, një ditë pasi drejtori i Inspektorati uli në detyrë inspektorin Gjorgji Ilievksi për publikim të informatave të besueshme nga ky rast, sot nga Komisioni Anti-Korrupsion theksuan se përveç titujve dhe pagesave të tyre do të shqyrtohet edhe përgjegjësia e institucioneve, në këtë rast, Universitetit të Tetovës.

Brenda në Inspektoratin e Arsimit ka papajtueshmëri të aspektit formal dhe veç më kemi bërë analiza të tilla . Tani po presim pasi që tek ata vazhdon procedura. Ne nuk i analizojmë procedurat e tyre sepse nuk kemi kompetent për atë por i kemi parasysh sepse mund të del ndonjë vendim i ri që mund të ketë ndikim. Do të dalim me qëndrim kur saktësisht do të vërtetohet si janë arritur titujt shkencorë- deklaroi Nuri Bajrami – Nënkryetar i Komisionit Anti-korrupsion.

Ndërkaq Ministri i Arsimit Arbër Ademi, i pyetur nga Alsat, theksoi se iniciativat e inspektorit Ilievski janë të gabuara megjithatë, ai i lë hapësirë institucioneve që të shprehen me konstatimet e tyre në pajtim me ligjet.

Institucionet duhet që në mënyrë konsekuente të zbatojnë dhe të implementojnë çdo dispozitë ligjore dhe ligjin në tërësi për arsimin e lartë, gjykoj personalisht se procedura e cila është e ngritur nga personi në fjalë është krejtësisht e gabuar dhe besoj se gjatë këtyre ditësh ka pasur mundësi që të shihen edhe gabimet dhe lëshimet e tij. Në këto momente unë lë hapësirë që institucionet ta bëjnë punën e vetë- tha Arbër Ademi – Ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Ilievskit iu hodhën poshtë iniciativat për avancimet shkencore të Ademit, Nuhiut dhe Emrulit nga komisioni i shkallës së dytë. Ndërkaq revizioni i jashtëzakonshëm nga vetë inspektorati i arsimit nuk gjeti parregullsi në procedurat e avancimit të profesorëve, dhe u distancua nga qëndrimet e inpektorit Ilievskit. Më vonë, edhe Komisioni disiplinor konstatoi se Ilievski ka keqpërdorur funksionin e tij në kryerjen e detyrës zyrtare dhe ka shpërdoruar në publik informatat e besueshme duke ekspozuar profesorët, të cilët njëkohësisht bartin funksione shtetërore.