Ankohen bujqit: “Po punojmë për tregtarët, si në epokën e skllevërve”


Filloi korrja e drithërave. Kombajnat u ndezën për ta korrë elbin. Atmosferë se si korret (10sekonda)
Për shkak të thatësisë sivjet fshirja në ara ka nisur më herët

Në rajonin e Ovçe Poles, ndër fushat më pjellore të vendit, sivjet bujqit ankohen për rendiment të ulët të grurit dhe elbit. Kultivuesit e këtyre kulturave bujqësore në Maqedoninë qendrore thanë se herën e fundit kur ka rënë shi ishte muaji mars.

“Sipas bujqve, të cilët kanë kultivuar këtë kulturë bujqësore, elbi sivjet ka një rendiment prej 3 ton në një hektar, në krahasim me vitin e kaluar thanë se është dukshëm më i ulët”, raporton Adnan Qaili, Gazetar.

Bujqit ankohen se janë të shkelur si nga shteti me subvencione të pamjaftueshme, aq më tepër edhe nga tregtarët me blerje me një çmim shumë të ulët, 16 denarë për kilogram të grurit dhe elbit. Ky bujk i vetëpunësuar nga fshati Delisinci i Sveti Nikollës ka mbjell rreth 50 hektar me elb dhe grurë, por e ka vështirë t’i mbulojë shpenzimet. Ai tha se bujqit po punojnë për tregtarët, si në epokën e skllevërve dhe skllavopronarëve.

“Do t’ju them për një hektar nëse kemi rendiment mbi 4 ton është profitabile, më pak se aq 2-3 ton vështirë të mbulosh shpenzimet sepse kemi për të lëvruar, mbjellë, plehrat joorganike, spërkatjen, korrjen me kombaj, shpenzimet e transportit deri tek qendrat e shitjes, kështu që e kemi vështirë ti mbulojmë shpenzimet ne bujqit”, tha Dançe Nakov, bujk.

Shpenzimet kryesore për mbjelljen e tokës janë bërë pothuajse dyfish nga para krizës ekonomike. Nafta ishte me çmim 48 denarë para dy vitesh, tani çmimi aktual është 110 den/l duke pasur parasysh se traktori dhe kombaji shpenzojnë nga 20-30 litra në përpunimin e një hektari. Kjo ka rritur edhe koston e korrjes që ka qenë 6 mijë denarë dhe tani arrin nga 9-10 mijë denarë. Po ashtu plehu mineral joorganik i ardhur kryesisht nga Ukraina vitin e kaluar ishte 350 euro një ton, tani mezi e gjen me 1,000 euro/ton.

Shpenzimet e bujkut:
Nafta ishte 48 denarë, tani është 110 denarë
Korrja 6,000 den/ha tani është 10,000 den/ha
Plehu joorganik ishte 350euro/ton tani është 1,000 euro/ton

“Nuk kemi aspak llogari, por e kemi patjetër ta fshijmë. Shpenzimet janë gjithnjë e më të larta, 110 denarë nafta dhe nuk kemi eksport. Ky është viti i fundit, në mot aspak nuk do të mbjell, kam 20 hektar por do te heq dorë nga kjo punë”, u shpreh një bujk.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, sivjet janë mbjell 78,572 hektarë grurë dhe 48,504 hektarë elb në gjithë vendin. Krahasuar me vitin e kaluar ka një rritje të lehtë të kultivimit të këtyre dy llojeve të drithërave. Kjo shifër mbetet larg përmbushjes së nevojave për tregun vendor me miell. Si pasojë e konkurrencës hambarët e mullinjve mbushen nga importi i vendeve fqinje, të cilët janë të liruar nga dogana, prej ku gruri blihet me 12 denarë për kilogram, Por, gjithsesi qytetarët bukën e prodhimet e miellit i paguajnë më shtrenjtë. /Adnan Qaili