Anketa më e re: Kush do ti fitojë zgjedhjet në SHBA

Sipas një ankete të re të agjencisë “Reuters”, kandidati demokrat për president të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara dhe ish-nënpresidenti i këtij vendi, Joe Biden, ka dhjetë për qind epërsi në përkrahje në krahasim me rivalin nga Partia Republikane, presidentin e tanishëm, Donald Trump.

Në mesin e personave të rritur që morën pjesë në anketë e që pritet të votojnë në zgjedhjet e 3 nëntorit, 51 për qind e përkrahin Bidenin, ndërsa 41 për qind Trumpin. 4 për qind thanë se do të zgjedhin një kandidat tjetër, ndërsa 4-përqindëshi tjetër tha se ende është i pavendosur se cilin kandidat do ta votojë.

Epërsia prej 10 për qind e Bidenit ndaj Trumpit është një deri në dy për qind më e lartë në krahasim me javët e kaluara, shkruan Reuters. Kur ka mbetur më pak se një muaj deri në mbajtjen e zgjedhejve, Bideni e ka ruajtuar epërsinë e hershme në votën popullore. Megjithatë, për t’u zgjedhur president, një kandidat duhet të triumfojë në një numër të mjaftueshëm shtetesh për të fituar në Kolegjin Zgjedhor. Sipas anketave të shteteve veç e veç, Trumpi është pothuajse po aq i popullarizuar sa Bideni në shtetet që vlerësohen si vendimtare për përcakimtin e fituesit.

Ndryshe, vetëm 34 për qind e pjesëmarrësve në këtë anketë thanë se Trumpi e ka thënë të vërtetën për koronavirusin, ndërsa 55 për qind besojnë se ai ka gënjyer në lidhje me këtë temë. 57 për qind e pjesëmarrësve nuk janë të kënaqur me mënyrën se si presidenti amerikan është marrë me pandeminë. Kjo shifër është rreth 3 për qind më e lartë në krahasim me përqindjen e pakënaqësisë javën e kaluar.