Ankandi për shitjen e banesave të Mijallkovit, Nebiu: Po kërcënohen punonjësit Agjencisë së Pronave të Konfiskuar

Drejtori i Agjencisë për Menaxhim me Pronë të Konfiskuar, Driton Nebiu sot përmes një konference me mediat theksoi se punonjësit e kësaj drejtorie janë pre e kërcënimeve dhe frikësimeve, për shkak procedurave për shitjen e patundshmërive të të cilat së fundmi janë vënë në ankand.

Siç bëhet e ditur aktualisht në ankand janë banesat e ish-drejtorit të shërbimit sekret DSK-së, Sasho Mijallkov, pasi që është i plotëfuqishëm aktvendimi për rastin “Perandoria”.

“Besoj se opinioni duhet të informohet për ngacmimet dhe fyerjet për pengimin e realizimit për shitjen e pasurisë së konfiskuar, shitje të cilat kryhen sipas rregulloreve ligjore të Qeverisë së RMV-së. Janë të paraqitura të gjitha problematikat në Prokurori dhe në të gjitha organet e hetuesisë andaj nuk dua të hyjë në detaje”, deklaroi drejtori i këtij institucioni, Driton Nebiu nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.

Sipas tij, persona të caktuar kërcënojnë blerës të interesuar se nuk guxojnë ti blejnë pronat e tyre.

“Ne kemi një ditë për çdo ankand që është publikuar nga Agjencia për Pasuri të Konfiskuar, kemi ditë të veçantë ku të gjithë ofruesit mund të shohin se për çfarë banese bëhet fjalë. Në të njejtin objekt ishin të pranishëm pronarë të cilët kanë thënë se ju nuk t’i blini këto banesa për shkak se këto janë tonat”, theksoi Nebiu, duke shtuar se nuk ka nevojë për frikë dhe se ai nuk do të lejojë askush të pengojë shitjen e patundshmërive të cilat kanë aktvendim gjyqësor.

Sipas të dhënave nga Agjencia, pasuria e Mijallkovit e cila është në ankand, kapë vlerën prej 330 mijë eurove./TV21