“Anima Mundi” deklarohet për ngjarjen e rëndë në Gostivar


Në lidhje me ngjarjen tragjike e cila ka ndodhur mbrëmë në Gostivar, gjatë së cilës një vajzë 17 vjeçare u mbyt në lumin Vardar duke ikur nga qentë endacakë, reagojnë edhe organizata për mbrojtjen e kafshëve “Anima Mundi”, njofton Portalb.mk.

Ata thonë se gjatë kohë kanë apeluar që një ditë do të ndodh kjo që ka ndodhur dhe se problemi është shumë më i madh se sa mendohet.

“Neve na vjen shumë keq për këtë tragjedi që ka ndodhur dhe të gjithë neve na ka tronditur. Apelojmë që të mos përdoren mjete të paligjshme, lexoj shumë çështje të ndryshme dhe kërcënime. Sëpata, pushka, helme – ajo është zgjidhje e paligjshme. Kjo ngjarje e pakëndshme është dëshmi se sa problemi është jashtë kontrollit. Ne ofrojmë zgjidhje të cilat japin rezultate, por askush nuk dëgjon”, thotë Radmilla nga shoqata “Anima Mundi”.

Nga shoqata për “Slloboden Peçat” sqarojnë se kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari është kryetari i vetëm që ka kërkuar ndihmë nga shoqata në lidhje me qentë endacakë, ndërkaq sqarojnë se një periudhë të gjatë apelojnë që qentë që trajnohen për garim, gjegjësisht luftë mes qenve, pas një kohë lëshohen nga pronarët dhe të njëjtët i sulmojnë njerëzit.

“Në fshatrat përreth trajnohen qentë për t’i përleshur mes vete, ndërkaq më pas lihen në rrugë. Qentë në qytete nuk bien nga qielli, por ato janë qenë të cilët njerëzit i ruajnë, dhe më pas kur e kanë rëndë që t’i ruajnë apo do t’u bezdisen, i gjuajnë në rrugë”, thonë nga “Anima Mundi”.