Analisti Ardian Kastrati i bashkangjitet PDK’së: Po i përgjigjem ftesës që mu bë para 20 vitesh

Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK’së Enver Hoxhaj, sot ka njoftuar një konferencë për media në të cilën është duke prezentuar 3 aderimet e reja. Bëhet fjalë për 3 analistë që do i bashkangjiten PDK’së.

Ardian Kastrati, analisti i njohur është një nga aderimet e reja në këtë parti, njoftim që u bë i ditur nga vetë Hoxhaj. Ai e quajti ‘’besim të madh’’ që mendjet më të mira dhe energjitë më pozitive po i bashkohen PDK’së, dhe i uroj mirëseardhje atij.

Analisti Kastrati, tha se nuk mund të rrinte indiferent pasi edhe me profesion ishte politolog, dhe tha se nuk mjaftohej me disa postime që të shprehte mendimin e tij.

Ai tha se duke shikuar disa arkiva, e kishte gjetur një ftesë kur PDK ishte themeluar dhe nuk mund të shkonte, derisa ka vendosur që t’i përgjigjej asaj ftese tani pas 20 vitesh. Kastrati e quajti përgjigjen e tij, dhe aderimin e tij si thirrje nga ndërgjegja.