Kryeministri Ramush Haradinaj duket se nuk po shqetësohet shumë nga paralajmërimi i Listës Serbe se do ta rrëzojë Qeverinë, shkaku i aplikimit të taksës për mallrat që hyjnë nga Serbia dhe Bosnja. Madje, kryeministri përsëriti se taksa mund të rritet. Ndërsa, nga shoqëria civile thonë se rrëzimi i Qeverisë për shkak të kësaj çështjeje nuk do të ishte veprimi i duhur politik.
Pas kërcënimit për rrëzimin e Qeverisë nga Lista Serbe, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk e determinojnë politikën që ndjek ky subjekt. Për taksën, që u bë shkak që Lista serbe të mbaj këtë pozicion, kryeministri edhe një herë tha se mund të rritet.
“Sa i përket qëndrimit të partnerit tonë në qeveri, është qëndrim i tyre dhe vullnet i lirë politik dhe ne nuk e diktojmë atë… Taksa ndaj produkteve serbe edhe mund të rritet”, deklaroi Haradinaj.
Kurse për njohësit e çështjeve politike në vend gatishmëria e Listës Serbe për t’i dhënë nënshkrimet për rrëzimin e qeverisë, po shihet si i pavend.
Ndryshe, opozita është shprehur e ndarë, rreth mundësisë që bashkë me Listën Serbe, ta rrëzojnë qeverinë.
Sipas LDK-së nëse qeveria është formuar me këtë listë, pse të mos rrëzohet. Ndërsa, Vetëvendosje nuk e do ndihmën e tyre.