Amnesty International: Serbia të ndalë menjëherë shitjen e armëve në Kamerun


Serbia ka shitur 425 armë të quajtura Coyota dhe Zastava M21, në Kamerun ndërmjet viteve 2014 dhe 2016, armë këto të cilat janë blerë për të për të luftuar Boko Haramin.

Pas një video të ekzekutimeve në Kamerun që paraqiste ushtarë duke përdorur armë të prodhuara nga Serbia, Amnesty International i kërkoi Serbisë të ndalonte eksportimin e armëve këtij vendi, percjell Fakte.

Amnesty International tha për BIRN (Balkan Investigative Reporting Network) se Kameruni ka përdorur armët serbe në një model të “shkeljeve sistematike” të të drejtave të njeriut dhe i ka bërë thirrje Serbisë të pezullojë eksportin e armëve në shtetin afrikan.

“Duke pasur parasysh dëshminë e besueshme të armëve Zastava M21 që përdoreshin nga ushtarët e Kamerunit për të kryer ekzekutimet e tmerrshme jashtëgjyqësore të dy grave dhe dy fëmijëve të vegjël, Serbia – një furnizues kryesor i armëve të vogla në Kamerun, duhet të pezullojë furnizimet e mëtejshme”, tha Patrick Wilcken hulumtues i kontrollit të armëve në Amnesty International.

“Kjo nuk është hera e parë që Amnesty International ka dokumentuar abuzimet e të drejtave të njeriut nga forcat kamerunike duke përdorur armët e vogla serbe. Përkundrazi, ajo pasqyron një model të shkeljeve sistematike, “shtoi Wilcken.

Komenti erdhi pasi Amnesty dhe Bellingcat deklaruan se kishin vërtetuar se arma e parë në videon e ekzekutimit të grave dhe fëmijëve, të akuzuar për përkatësi të grupit të jashtëligjshëm islamik Boko Haram, ishte një Zastava M21 e bërë nga Serbia.

Arma prodhohet në fabrikën shtetërore të armëve Zastava në qytetin qendror të Kragujevcit.

Ministria e Tregtisë e Serbisë, e cila lëshon leje për eksport të armëve dhe Ministria e Mbrojtjes, nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN-it për shitjen e armëve në Kamerun deri në kohën e publikimit.