Ndryshimet në kodin penal, kanë turbulluar ujrat për faljen e Gruevskit dhe kthimin e tij të lirshëm në Shkup….
Ndryshimet në kodin penal, kanë turbulluar ujrat për faljen e Gruevskit dhe kthimin e tij të lirshëm në Shkup. Para shtatë muajve një propozim i tillë nga aktorë politik i është prezantuar presidentit të shtetit Stevo Pendarovski. Informacionin e konfirmon vetë Pendarovski në një intervistë për TV24, i cili ka refuzuar një gjë të tillë, pasi falja eventuale sipas tij rrënon funksionimin e shtetit ligjor dhe bie ndesh me ndryshimet e reja në kodin penal.
“Të jem më eksplicit, në një takim joformal para 7, 8 muajve, disa aktorë të skenës politike më konsultuan rreth kësaj mundësie, çfarë mendoj për këtë mundësi, dhe thash në formë të prerë se këtë nuk do ta kisha bërë asnjëherë, pasi kjo do të ishte rrënim i shtetit ligjor. Një mëshirë e tillë ekziston në kushtetutë, por nuk jam sultan ose monark në këtë shtet që vetë të vendos per vepra të tilla penale dhe çfarë është drejtësi e çfarë nuk është. Ekzistojnë procedura ligjore.”, ka thënë Pendarovski.
Stoillkovski: Pendariovski të zbulojë politikanët
Nga VMRO – DPMNE kërkuan nga shefi i shtetit të thotë identitetin e personave që kanë kërkuar faljen e Gruevskit.
“Pendarovski që sot do të duhet të përgjigjet se kush ka kërkuar nga ai amnesti. Po citoj Pendarovskin i cili thotë se ka qenë i konsultuar nga disa aktorë në skenën politike për amnesti, andaj tani do të duhet të jetë i saktë dhe i qartë dhe të thotë se kush nga politika e ka konsultuar Pendarovskin para disa muajve sa i takon amnestisë.”, tha Naum Stoillkovski.
Presidenti as me ndonjë inicjativë tjetër s’ka ndërmend të falë Gruevskin, ndërkohë që përgënjeshtron pretendimet se me ndryshimet në kodin penal do të sigurohet kthimi i Gruevskit në shkëmbim për të bindur dhjetë deputetë të opozitës për të votuar ndryshimet kushtetuese.