Ambasada amerikane në Shkup së bashku me Kryqin e Kuq të Maqedonisë shënuan Ditën kombëtare të përkujtimit të viktimave dhe të mbijetuarve nga sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA. Përkujtimi u bë përmes grumbullimit të gjakut nga donatorë të ndryshëm. Aksioni nisi që në orët e hershme të mëngjesit në ambientet e ambasadës amerikane në Shkup, ku përveç qytetarëve të shumtë, gjak dhuroi edhe ambasadori amerikan Xhes Bejli. Nga Instituti i Tansfuziologjisë thonë se Maqedonia falë dhuruesve vullnetar të gjakut ka sasi të konsiderueshme rezervë të gjakut nga të gjitha grupet ekzistuese.
Ne shohim mbështetje fantastike nga qytetarët dhe institucionet e këtij vendi për vite me radhë. Vitin e kaluar ne thyem rekordin e gjakdhënësve, këtë vit shpresojmë ta thyejmë rekordin e vitit të kaluar për nga numri i donatorëve të gjakut. Çdo ditë dhuruesit e gjakut shpëtojnë jetë njerëzish”- theksoi Xhes Bejli, ambasador i SHBA-së në Maqedoni.
Gjatë këtyre viteve mësuam të jemi njëri për tjetrin, pranuam të ndryshmen, ndërtuam themele të forta të cilat gjatë viteve i kemi ndërtuar. Gjërat të cilat janë të dobishme për shoqërinë meritojnë vazhdimësi”- deklaroi Sait Saiti, Kryqi i Kuq i Maqedonisë.
Mbledhja e mbi 1800 njësive të gjakut në periudhën e kaluar flasin për një ndërgjegje serioze të qytetarëve dhe një humanizëm dhe solidaritet i njerëzve tanë përfshirë edhe të punësuarit tanë. Shëndetësia falë dhuruesve siguron në çdo moment jo vetëm në shëndetësinë publike por dhe në atë private sasi të mjaftueshme të gjakut në të gjitha grupet e gjakut dhe nuk kemi mungesë të gjakut”- u shpreh Milenka Bogoevski nga Instituti i Transfuziologjisë./PC