Ambasadorja franceze në Sofje: “Nuk ka ndryshim në propozimin e fundit”

Në Kuvendin bullgar, kryetari i partisë “Rilindja”, Kostadin Kostadinov, informoi se do të insistojnë që të mos nënshkruhet protokolli për heqjen e vetos për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në, derisa të sqarohet dokumenti, siç thotë ai, “që e ka rishikuar Parisi”.

Propozimi i fundit i Francës për Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut për zgjidhjen e mosmarrëveshjes është identik me atë fillestar që u votua në parlamentin bullgar, tha për “Euronews” ambasadorja franceze në Sofje, Florence Robin, përcjell “BNR”.

“Propozimi nuk ndryshon nga i pari dhe mbron plotësisht të drejtat e pakicave, përfshirë bullgarët, dhe nuk ka nevojë për një rishikim të ri”, tha diplomatja. Të njëjtën gjë mbrëmë ka konfirmuar edhe ministrja bullgare e Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska.