Ambasadori slloven Millan Predan: Jemi të motivuar ta zgjidhim çështjen në mes Shkupit dhe Sofjes

Ambasadori i Sllovenisë në Maqedoninë e Veriut, Millan Predan, vendi i të cilit e mori kryesimin me Këshillin e BE-së, në intervistë porositi se çështja Shkup-Sofje duhet të zgjidhet me diplomaci të durueshme dhe të qetë, në dialog të hapur të të gjithë faktorëve: Shkupin, Sofjen, Brukselin, Lubjanën. Sipas tij, është i rëndësishëm, edhe roli i Berlinit, Parisit dhe Uashingtonit.

Ai theksoi se ka disa propozime dhe skenarë, duke përfshirë edhe atë portugez në të cilin do të punojë Sllovenia për shkak se ky është vlerësim i përbashkët i të gjithë anëtareve të BE-së dhe porositi se nuk mund të premtojë çudira, por që do të punojë i motivuar.

“Nuk dua të përhap optimizëm të rrejshëm, nuk mundemi të premtojmë çudirë politike, por mund të them se jemi jashtëzakonisht të motivuar që ta zgjidhim çështjen Shkup – Sofje dhe e kemi mbështetjen nga të gjithë 26 anëtaret e BE-së dhe të gjithë kanë interes që të zgjidhet kjo çështje. Ne veçmë po punojmë në disa skenarë të mundshme për atë se si mundemi t’ju qasemi disa gjërave”, thotë Predan.