Ambasadori i Maqedonisë në Pragë prezanton gruen e tij si atashe, e shkarkojnë nga detyra

Sashko Todorovski nuk do të shërbejë më si ambasador në Republikën Çeke. Ai është tërhequr dhe kthyer në shtëpi. Ministri i Jashtëm Bujar Osmani informoi se në mes të mandatit Todorovski u tërhoq për shkak të një numri parregullsish në punë.

“Ka konstatime të parregullsive në punë, ka pasur prezantim të rremë të gruas si atashe kulture në Pragë, nuk janë respektuar udhëzimet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe ky është një proces më i gjatë në të cilin është kryer procedura”, deklaroi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Osmani iu referua edhe akuzave të VMRO- DPMNE-së për, siç vlerësuan nga partia, zgjedhjen katastrofike në emërimin e ambasadorëve të ri. Kjo erdhi pasi disa media raportuan se ish-drejtori i TEC Manastirit, Vasko Kovaçevski, do të jetë propozim për ambasador në Paris në vend të Viktor Dimovskit. Përveç tij, thuhet se ish ministri i drejtësisë Nikolla Tupançevski do të shkojë si ambasador në Beograd, Andrej Zhernovski në Bukuresht. Nga VMRO gjithashtu thanë se Jakup Rexhepi, i cili ka lidhje familjare me ministrin Fatmir Besimi, është propozim për Sarajevën. Sipas ministrit Osmani, akuzat e opozitës po dëmtojnë imazhin e diplomacisë së Maqedonisë.

“Nuk do të lejoj që shkrues të fjalimeve partiake të diskreditojnë njerëzit në bazë të informacioneve të rreme që vijnë nga kanale të ndryshme dhe të dërgojnë mesazh të keq në vendet që duhet të japin pëlqime”, tha Osmani.

Sipas MPJ-së, spekulimi publik i VMRO- DPMNE-së me informata nga seanca të mbyllura të Qeverisë, paraqet shkelje të rëndë të ligjit dhe është një skandal diplomatik që minon qëndrimet shtetërore.