Ambasadori i Kosovës në Maqedoni: S’ka rrezik për dorëzimin e Blerim Ramadanit në Serbi

Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, ka deklaruar se për momentin shtetasi kosovar Blerim Ramadani është në ndalim në Maqedoninë e Veriut me flet-arrest nga ana e Serbisë për krime të pretenduara të kryera gjatë luftës në vitin 1999.

Ai gjithashtu ka siguruar se Ramadani nuk do t’i dorëzohet Serbisë.

“Jemi duke u marrë me rastin, e kemi rastin shumë të fortë që kjo nuk do të ndodhë. Jemi në komunikim me qeverinë e re këtu por edhe me organet e drejtësisë”, ka thënë Qehaja.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës tha se në Maqedoninë e Veriut është arrestuar një shtetas kosovar, bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia.

“Fjala është për zotin Blerim Ramadani, ish-anëtar i Zonës Operative të Nerodimes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha MPJD-ja.

Arrestimi u krye dje në pikëkalimin kufitar Jazincë-Glloboqicë, që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.