Ambasada gjermane Shkup: Në tre muajt e ardhshëm nuk do të ketë listë pritjeje për termine

Ambasada gjermane në Shkup njoftoi se për shkak të problemeve teknike, gjatë regjistrimit të fundit për termine, në tre muajt e ardhshëm nuk do të ketë listë pritjeje për regjistrim të termineve, përcjell Portalb.mk.

“Për shkak të problemeve teknike, gjatë regjistrimit të fundit për termine, më datën 5 tetor 2021 janë regjistruar më shumë persona se numri i paraparë sipas listës së pritjes për një termin. Ambasada vendosi të mos i fshijë regjistrimet e tepërta, por të gjithë personave të regjistruar tu caktojë një termin sipas rendit kronologjik, ndoshta deri në fund të shkurtit 2022. Për këtë arsye, në muajt nëntor, dhjetor dhe janar nuk do të aktivizohet asnjë listë pritjeje për regjistrim të një termini”, njoftuan nga Ambasada e Gjermanisë në Shkup përmes rrjetit social Facebook.

Nga kjo ambasadë, njoftojnë gjithashtu se Ambasada në fillim të vitit të ardhshëm planifikon të bëjë një ndryshim për sa i përket regjistrimit dhe ndarjes së termineve, në mënyrë që regjistrimi të jetë më i lehtë.
“Për procesin e saktë të regjistrimit do të informoheni në kohë”, thonë nga Ambasada.