Ambasada gjermane dhuron automjet të ambulancës për Shtëpinë e shëndetit Gostivar

Ambasada gjermane në kuadër të aktiviteteve për mbështetje, sot shërbimit për ndihmë të shpejtë e cila punon brenda Shtëpisë së Shëndetit në Gostivar i dhuroi një automjet të veçantë.
Donacioni është realizuar përmes ndërmjetësimit të organizatës joqeveritare “Qendra Evropiane për Zhvillim, Tolerancë dhe Bashkëpunim”.

Pranim-dorëzimi i automjetit modern u bë nga koordinatori i “Qendrës Evropiane për Zhvillim, Tolerancë, Valbon Limani dhe Jamin Sinani, drejtori i Shtëpisë së Shëndetit.
Limani duke shprehur mirënjohje për Ambasadën gjermane për donacionin e dhënë për shëndetin e Gostivarit, vuri në dukje se një ndihmë e tillë është e rëndësishme për ta rritur efikasitetin e punës dhe shpejtësinë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për bashkëqytetarët.

Kreu i Shtëpisë së Shëndetit, Sinani, tha se automjeti i ri do ta përmirësojë ndjeshëm funksionimin, veçanërisht tani që do të ketë katër automjete speciale në dispozicion, njëra prej të cilave do të përdoret vetëm për transport dhe ndihmë për pacientët me Kovid 19.
Automjeti i ri, nga marka Folksvagen Krafter, i ka të gjitha pajisjet shoqëruese për qëllimin që do të përdoret, ndërsa vlera e tij është 38,331 euro.