Ambasada amerikane ia bën të qartë Serbisë: Pavarësia e Kosovës është fakt!

Ambasada amerikane në Prishtinë thekson se qëllimi i Shteteve të Bashkuara është që të mbështesë Kosovën që të bëhet pjesë e strukturave evropiane dhe euroatlantike, duke bërë të qartë se “pavarësia e Kosovës është fakt”.

Ky reagim në Twitter vjen pas një lajmi se llogaria e Ambasadës amerikane në këtë rrjet social kishte “pëlqyer” një postim të një media serbe që fliste për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës, të pretenduara nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

“Llogaria zyrtare në Twitter e Ambasadës amerikane nuk e ka ‘pëlqyer’ qëllimshëm asnjë postim në Twitter në 24 orët e fundit. Siç e kemi thënë edhe më herët, kur ne duam të artikulojmë një qëndrim, ne e bëjmë përmes kanaleve zyrtare, deklaratave, e jo përmes ‘pëlqimeve’ në rrjetet sociale”, thuhet në sqarim.