Alternativa vendos: Nuk e mbështesin Lëvizjen Besa në Tetovë dhe Zhelinë


Përmes një kumtesë për media, partia Alternativa edhe zyrtarisht kumtoi qëndrimin e saj në lidhje me mbështetjen ose jo të Lëvizjes Besa në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

“Në mbledhjen e Kryesisë Qendrore të Alternativës u diskutua edhe për qëndrimin ndaj garës ku koalicioni AAA&ASH nuk garon me kandidatë në raundin e dytë. Duke parë se të gjithë ata janë kandidatë të partive në pushtet, ndërsa AlternAtivA është parti opozitare, Kryesia Qendrore vendosi që Alternativa të mbetet konsistente në përfaqësimin e zërit opozitar, andaj nuk do të bëjë thirrje për ta mbështetur ndonjë kandidat të caktuar në ndonjë komunë të tilla. Thirrja e Alternativës është që secili votues me ndërgjegjen e tij dhe konform interesave të tij lokale të vendosë se cilin kandidat duhet ta votojë, ndërsa votuesi i Alternativës gjithnjë i ka parasysh edhe përcaktimet programore të partisë”,thonë nga Alternativa.

Me këtë rast AlternAtiVA edhe njëherë shpreh mbështetjen plotë të kandidatëve të koalicionit AAA&ASH në komunat e Strugës, Dibrës, Gostivarit, Vrapçishtit, Bogovinës, Tearcës dhe Çairit dhe bën thirrje për mobilizim të të gjitha energjive dhe fuqive për ta sjellë ndryshimin e shumëpritur edhe në vendbanimet tona.