Të martën në orën 18:00 Alternativa ka thirrur mbledhjen e Kryesisë Qendrore.Partia e Afrim Gashit do të diskutojë dy opsione: pjesëmarrjen në Qeveri, përkatësisht t’i bashkohet shumicës parlamentare, ose qëndrimin në opozitë.Mbledhja e organeve partiake vjen pas takimit që Gashi kishte me Kryeministrin Zoran Zaev të premten e kaluar, në të cilën nuk është biseduar për ndarje resorësh, por për çështje parimore.Gashi pas takimit tha shkurt se Alternativa gjendet në udhëkryqin nga i cili duhet të dalë me një qëndrim për shfrytëzimin e momentumit në të cilin ndodhet vendi, para marrjes së mundshme të datës për negociata me BE-në.Me gjithë qëndrimin e Gashit, në Alternativë vazhdojnë zëra “për” dhe “kundër” pjesëmarrjes në Qeveri.
Koordinatori i grupit parlamentar, Skender Rexhepi sot tha për Alsat se njëra ndër kushtet e Alternativës dhe kërkesë e tij e cila do të adresohet edhe në organet e partisë është që marrëveshja për t’u bërë pjesë e shumicës të përfshijë edhe zbardhjen e rasteve të montuara gjyqësore.
“Ka argumente të mjaftueshme edhe për të qëndruar në opozitë edhe për tu bërë pjesë e shumicës parlamentare. Mos harrojmë që edhe si koalicion por edhe si Alternativë, gjithsesi së bashku me kontributin e gjithë grupin parlamentar, por megjithatë, në cilësinë edhe të koordinatorit, mua më ka ra barra më e rëndë që të zhvilloj betejën politike mbi rastet e montuara politike. Ne edhe para zgjedhjeve parlamentare kemi kërkuar ekip profesional juridik (prokurorë) që në mënyrë të paanshme të merren me rastet e motuara politike dhe kjo pikë duhet doemos të jetë pjesë e marrëveshjes eventuale qeveritare”, tha Rexhepi.
BDI nuk prononcohet ndaj porosisë së kryeministrit Zaev se të gjitha partitë duhet të ndajnë pjesë nga kulaçi qeveritar për Alternativën. Artan Grubi thotë se nga biseda telefonike që ka zhvilluar me kryeministrin nuk është diskutuar ndarja e resorëve, duke shtuar se në bisedime për zgjerimin e shumicës ka edhe subjekte tjera parlamentare.
“Nuk kemi diskutuar fare në asnjë detaj të vetëm në lidhje me çështje kadrovike apo ndasi të resorëve mes partive politike. Janë subjekte të veçanta LSDM-ja me partnerët e vet, subjekt i veçantë është BDI-ja por edhe Alternativa. Kur do t’i konkretizojmë bisedimet do të diskutojmë bashkërisht. Jemi në bisedime jo vetëm me Alternativën, por edhe me parti tjera që janë pjesë e Kuvendit që t’i bashkëngjiten shumicës parlamentare ose ta përkrahin atë”, tha Grubi nga BDI.Zaev dhe Gashi pas takimit deklaruan se javën që pason do të intensifikohen takimet me partnerët e koalicionit me qëllim formalizimin e shumicës parlamentare.Nëse Alternativa me 4 deputetët e saj bëhet pjesë e Qeverisë, shumica do të numërojë 63 deputetë. Në opozitë do të mbeten VMRO-DPMNE-ja me 44 deputetë, Aleanca për Shqiptarët me 8 dhe Lëvizja Besa dhe e “E Majta” me nga dy deputetë, ndërsa deputeti Kastriot Rexhepi për momentin do të veprojë si i pavarur, por në mbështetje të shumicës.