Alternativa: “Na kanë lutur që të hyjmë në Qeveri”

Alternativa nuk ka informacione se Aleanca për Shqiptarët mund të zë vendin e tyre në Qeveri. Nga kjo parti për Sitel thonë se edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski e konfirmoi se shkrimet e tilla janë spekulime, ndërkaq thonë se faktorë të brendshëm e të jashtëm u janë lutur që ata të bëhen pjesë e Qeverisë.

“Kryeministri e konfirmoi zyrtarisht se është vetëm një spekulim. Largimin e Alternativës nga koalicioni nuk e vendos askush tjetër, përveç organeve partiake të Alternativës, që vendosën për hyrjen e Alternativës në Qeveri. Ju e dini që Alternativa e stabilizon këtë qeveri dhe këtë e dinë mirë partnerët tanë qeveritarë dhe partnerët ndërkombëtarë. Nëse dikush e ka harruar atë akt të Alternativës, sigurisht që nuk është nga skleroza. Ne nuk kemi hyrë në qeveri sepse jemi lutur apo vardisur, por sepse na kanë kërkuar një sërë faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm, për shkak të procesit të eurointegrimit. Në fakt, shumica parlamentare është e qëndrueshme dhe nuk ka nevojë për një përforcim tjetër. Marrëdhëniet tona me partnerët e tjerë në qeveri janë korrekte, në kuadër të marrëdhënieve kolegjiale”, thonë nga Alternativa.