Alternativa Kumanovë: ASH dhe Fatmir Mexhiti po luajnë me dinjitetin e mjekëve kumanovar

Thuajse para një muaji doktor Fati Xhemaili, urolog i dëshmuar në Spitalin e Kumanovës, me propozimin e ministrit Fatmir Mexhiti dhe me përkrahjen politike të Aleancës për shqiptarët u zgjodh drejtor i Spitalit të Kumanovës.
Menjëherë pas emërimit të doktorit në pozitën e drejtorit, rikthehet ish drejtoresha e spitalit, psikologia Biljana Ivanovska e cila kishte përkrahje politike nga LSDM-ja.
Ky veprim i ministrit Fatmir Mexhiti dhe Aleancës për shqiptarët është i pakuptueshëm për opinionin e gjërë dhe sidomos për atë kumanovar që kanë shpresuar shumë për ndryshimin e gjendjes në mënyrë pozitive. Ato punë dhe projekte që i pat nisur ish ministri Bekim Sali, që vinte nga radhët e Alternativës, kumanovarët shpresonin se do t`i vazhdoj edhe ministri i ardhshëm. Por kjo nuk ndodhi! Përkundrazi! Një profesionist i dëshmuar në fushën e mjekësisë si doktor Fati Xhemaili u luajt me dinjitetin e tij prej profesionisti. Në këtë mënyrë u luajt edhe me dinjitetin e krejt kumanovarëve.
Qëndrimi në pushtet i ASH-së pas kësaj përbuzjeje tashmë është bërë i panevojshëm. Nëse vërtet Aleanca për shqiptarët është e interesuar për shqiptarët e sidomos për kumanovarët, pyesim se me çka janë kapur ata që i shkarkohet drejtori dhe përbuzet dinjiteti i një mjeku shqiptarë?
Pas kësaj përbuzjeje shpresojmë se do të reflektojnë. Do të duhet të reflektojnë edhe aktivistët e Aleancës për shqiptarët. Opinionit i kanë borxh një përgjigje në pyetjen: Pse ende qëndrojnë në Qeveri?