Alternativa e refuzoi ofertën e Mickoskit që Gashi të bëhet mandatar i ri

Partia Alternativa e ka refuzuar ofertën që sot kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski e bëri publikisht që kryetari i Alternativës, Afrim Gashi të bëhet mandatari i ri i qeverisë tranzitore, njofton Portalb.mk.

“E falënderojmë z.Mickoskin për vlerësimin e tij për kryetarin Afrim Gashi, por Alternativa aktualisht është në një proces i cili vijon dhe ende nuk ka përfunduar. Në këtë periudhë nuk kemi asnjë arsye për ta ndryshuar agjendën dhe nuk mund të flasim për asgjë tjetër”, tha për Portalb.mk, zëdhënësi i Alternativës, Orhan Murtezani.

Paraprakisht, lideri i opozitës përsëri i bëri thirrje Alternativës që të braktisë koalicionin me LSDM-në dhe BDI-në, pasi vendi sërish nuk ka marrë datën për konferencën e parë ndërqeveritare për fillimin e negociatave me BE-në.
Më 5 dhjetor, pas disa takimesh mes kryeministrit Zoran Zaev dhe Afrim Gashit u zyrtarizua koalicioni që Alternativa t’i bashkohet shumicës parlamentare dhe Qeverisë.

Ndër të tjera kryeministri Zaev tha se kjo marrëveshje nënshkruhet për të pasur një qëndrueshmëri politike për të hapur negociatat me BE-në, bisedimet me Bullgarinë dhe për të vazhduar luftën kundër Kovid-19.

Vendimi që Alternativa t’i bashkohet koalicionit qeveritar është marrë më 4 dhjetor në seancën e Këshillit Qendror, organit më të lartë të partisë.

Kujtojmë se, pas paralajmërimit për dorëheqje të Zaevit, vendi u fut në krizë politike, pasi Pas kësaj, opozita maqedonase dorëzoi iniciativë për votim të mosbesimit të Qeverisë, ndërsa në listën e kësaj iniciative ishin nënshkruar edhe deputetët e koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, Lëvizjes Besa (e cila ishte asokohe në Qeveri) dhe “Të majtës”, me çka ishin siguruar 61 deputetë për rrëzim të Qeverisë. Megjithatë, deptueti i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi nuk u paraqit në seancën ku duhej të diskutohej dhe të votohej për mosbesimin e Qeverisë, me çka opozita nuk arriti të sigurojë kuorum as për të filluar seancën dhe me këtë, mocioni dështoi.