AlternAtivA: “E mbështesim propozimin francez për hapjen e negociatave dhe bëjmë thirrje për kohezion shoqëror dhe shtetëror”

Partia AlternAtivA ka dalë me mbështetje nga ku e përshëndesin propozimin e dytë francez, që përbën një kornizë të volitshme, e cila e hap mundësinë e fillimit të negociatave për aderim në Bashkimin Europian edhe për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe bën thirrje për kohezion shoqëror dhe shtetëror rreth këtij propozimi thonë nga Alternativa. Në të vërtetë, ne jemi të bindur se ky është propozimi më i mirë që ka ardhur ndonjëherë e me të cilin Maqedonia e Veriut e fiton perspektivën europiane pa e vënë në rrezik identitetin etnik të maqedonasve dhe gjuhën maqedonase deklarojnë nga Alternativa.

Për këtë arsye, ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike në vendin tonë që ta marrin seriozisht këtë propozim dhe të mos lejojnë që për përfitime të pakta elektorale ta dëmtojnë një shans historik dhe një synim të shumë brezave. Sipas tyre përveç spektrit politik, ky propozim duhet të gjejë mbështetje edhe nga strukturat e tjera shoqërore, sepse një zgjidhje e këtillë i sjell fryte dhe të ardhme të ndritur mbarë shoqërisë.

Si parti që para gjashtë muajsh iu bashkua kësaj qeverie me një marrëveshje politike, ku pika e parë ishte integrimi europian, AlternAtivA gjykon se tash edhe skeptikët dhe kritikët më të mëdhenj e kanë kuptuar se kemi bërë veprimin më të duhur dhe vendimtar, duke i dhënë shans perspektivës europiane të vendit dhe kemi ndihmuar që edhe si shtet edhe si komb të hyjmë në binarët europianë. Ndonjëherë nuk është e rëndësishme sa je i madh, por çfarë veprime të mëdha bën. AlternAtivA ka bërë veprimin më të madh, ashtu që me një hap ua ka hapur udhën integruese europiane dy shteteve dhe më shumë kombeve të Ballkanit Perëndimor.