Alketa Vejsiu uron festën: Për Bajram e për Krishtlindje ky urim vlen njësoj


E ulur pranë oxhakut, në xhamin e të cilit pasqyrohet një pemë Krishtlindjesh, me buzëqeshjen e ngrohtë që e karakterizon, moderatorja e njohur Alketa Vejsiu ndau urimin e saj për vigjiljen e festës së krishterë.

Ndryshe nga urimet e thjeshta e të përzemërta ku përmenden çastet e lumtura, moderatorja e “Love Story” në Tv Klan zgjodhi anën tjetër të medaljes të cilën e harrojmë shpesh në rrjedhën e jetës së përditshme.

“Në këtë vigjilje Krishtlindjesh urimet e mia më të mira për të gjithë miqtë e Instagramit dhe për të gjithë shqiptarët që i festojnë. Por në mënyrë të veçantë mendimet e mia shkojnë sot për ata që ndihen të dobët, për ata që gjenden në spitale e luftojnë me sëmundjet e me jetën, për ata që këtë vit kanë humbur dikë të shtrenjtë, për ata që kanë humbur një dashuri, për ata që e jetojnë të ndarë dashurinë në distancë këtë herë jo për shkak të murit të Berlinit dhe as prej Luftërave të mëdha Botërore, por për shkak të kësaj pandemie që shpresoj t’i vijë fundi; për ata që sot kanë ftohtë dhe mendojnë mbijetesën dhe bukën e fëmijëve, për ata që ndihen të brishtë sepse Instagrami i disa të tjerëve ka shumë lumturi dhe shkëlqim (por ju siguroj që të gjithë kanë trishtimet dhe brengat e tyre të heshtura dhe ecin në rrugët e dhimbjes vetëm), për ata që kanë fëmijët e familjarët larg e nuk mund të përqafohen…

Urimet e mia shkojnë edhe për të gjithë ata që për shkak të misionit të profesionit sot janë në detyrë dhe nuk festojnë vigjiljen me njerëzit e dashur! Krishtlindjet janë festa religjioze që duket sikur nuk i përfshijnë të gjithë duke respektuar besimet, por janë edhe pragu i afërt i fundit të një viti jo të thjeshtë për të gjithë botën! Jemi të gjithë në të njëjtën varkë! Për Bajram e për Krishtlindje ky urim vlen njësoj! Për ju një lutje dhe shumë bekime me zemër të bardhë! Gëzuar!”

Përtej shkëlqimit të festës, Alketa na kujtoi se është e rëndësishme të jemi mirënjohës e falënderues për çfarë kemi në këtë moment./tvklan.al