Aliti: “Administrata në Maqedoni do të bëhet si në vendet e BE-së”


Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti në konferencën e sotme për shtyp theksoi se me ndryshimet ligjore në Ligjin për të Punësuarit në Sektorin Publik dhe Ligjin për Nëpunës Administrativ synojnë depolitizimin e administratës dhe rritjen e transparencës. Aliti tha se propozimet për ndryshime ligjore janë marrë nga praktika në vendet e BE-së.

“Me këto dy ligje tani që i propozojmë mendojmë se japim kontribut të madh në departizimin e administratës publike sepse çdo punësim do të jetë transparent dhe kemi vendosur mekanizma me të cilët e bllokojmë mundësinë që partitë politike ti vendosin njerëzit e vetë të cilët janë të pakualifikuar për t’u futur në administratë publike. Në qoftë se ligji kalon kështu siç është, do të japim një kontribut të madh në bërjen e administratës publike të ngjashme me shumë shtete në BE”, tha mes tjerash Aliti duke shtuar se nuk përbën problem nëse persona të caktuar i përkasin ndonjë strukture politike, por që problemi është në parandalimin e pranimit në punë të personave të pakualifikuar.