Ali Ahmeti pyetet se për kë bën tifo sonte, Kosovën apo Maqedoninë e Veriut: Kjo është përgjigja e tij

Kryetari i BDI’së, Ali Ahmeti, në një lidhje direkte në emisionin Frontal ka folur rreth ndeshjes së sotme ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Ahmeti ka deklaruar se ndeshjen e sotme do ta presë i gëzuar.
“Është një moment tejet i rëndësishëm dhe mezi pres të luhet ndeshja. Gjërat i shoh paksa në një dimension tjetër, sesa ne si shqiptarë kemi arritur në këto 20 vitet e fundit”
“Nëse do t’i kishe thënë dikujt para 20 vitesh se Kosova do të ketë kombëtare dhe se Maqedonia e Veriut do të jetë mbi 50 për qind me shqiptarë, as edhe optimistët më të mëdhenj nuk do ta kishin besuar një gjë të tillë. Por, gjërat kanë shkuar për së mbari dhe sigurisht se kemi investuar për liri kombëtare”, ka thënë Ahmeti.

Tutje ai ka deklaruar se Kosovën e ka atdhe të dytë dhe se më shumë ka jetuar në Kosovë se në Maqedoninë e Veriut.
“Sigurisht që unë Kosovën e kam pjesë të ndjeshme, e kam atdhe të dytë. Më shumë kam jetuar në Kosovë, rininë e kam kaluar në Kosovë dhe pjesën më të mirë të jetës”, tha Ahmeti.
“E njoh pëllëmbë për pëllëmbë Kosovën. Por sigurisht, jam i lidhur me këtë vend këtu, sepse edhe këtu kam investuar e kontribuuar për të ndryshuar statusin politik e juridik të shqiptarëve”, tha ai.

“Kosova mbetet pikë emocionale dhe do të vazhdojë të mbetet edhe për një kohë të gjatë”
“Në demokraci kur votohet, është kartoni i gjelbër edhe i kuq për po ose jo. A do të më lejoni sot të ngrejë kartonin e portokalltë e të përmbahem. Rezultati, besoj se do kemi respekt për mysafirët. Gjithmonë mysafirët duhet të përcillen të gëzuar”, ka deklaruar Ahmeti.