Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim z. Ali Ahmeti sot në Tetovë ka takuar Ambasadoren e re gjermane zonjën Anke Holstein.
Takimi i parë njohës midis bashkëbiseduesve ishte miqësor dhe dashamirës dhe i përcjellur me shkëmbim të opinioneve për procesin zgjedhor në vendin tonë.
Z. Ahmeti uroi Ambasadoren Holstein për detyrën e re dhe u zotua për vazhdimësi të miqësisë dhe bashkëpunimit të afërt me Gjermaninë duke shprehur faleminderimin e madh për kontributin e deritanishëm të Berlinit për vendin dhe rajonin tonë.
Procesi zgjedhor u vlerësua si demokratik nga bashkëbiseduesit dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, ndërsa tash pritet konstituimi i Kuvendit dhe i qeverisë sa më shpejt që është e mundur.
Sfidat para nesh janë të shumta, negociatat me Bashkimin Europian, rimëkëmbja ekonomike dhe përballja me pandeminë, por edhe realizim i programeve zgjedhore, prandaj edhe konsolidimi i institucioneve nuk guxon të vonojë.
Z. Ahmeti theksoi vijat e kuqe të BDIsë dhe të shqiptarëve, Marrëveshjet e Ohrit Prespës dhe e fqinjësisë së mirë por edhe reformat për të përmbushur standardet europiane dhe premtimet tona zgjedhore.
Z. Ahmeti dhe Ambasadorja gjermane u dakorduan që të vijojnë dialogun dhe bashkëpunimin edhe në të ardhmën.