Ali Ahmeti përshëndet marrëveshjen Kosovë-Serbi për targat: “Të vazhdojnë negociatat”

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, e ka përshëndetur marrëveshjen në mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave të automjeteve. Ahmeti thotë se me këtë marrëveshje është bërë hapi i nevojshëm për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve. Ahmeti gjithashtu bën thirrje që të vazhdojë procesi i negociatat mbi propozimin franko – gjerman.

“Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian arritën marrëveshje mbi çështjen e targave duke bërë kështu hapin e nevojshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre. Përgëzoj të dyja palët për guximin, duke uruar që mbi këtë rrugë progresive të mirëkuptimit të vazhdojnë procesin e negocimit mbi propozimin franko – gjerman deri në finalizimin e procesit pa alternativë tjetër, atë të njohjes së ndërsjelltë”.

“Është koha që t’u jepet fund kontesteve, të ndërtohet e ardhmja e sigurt dhe përparimtare drejt një horizonti, atë të integrimit në Bashkimin Europian!”, ka shkruar Ahmeti. Ndryshe, mbrëmë përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka bërë të ditur se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve”, tha ai.