Ali Ahmeti nga Tetova: Votoni Teuta Arifin, rrethoni numrin 3


Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), fushatën për zgjedhjet lokale e vazhdoi sonte në Tetovë ku prezantoi kandidaten për kryetare të komunës, znj. Teuta Arifi dhe listën e këshilltarëve.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti para banorëve të qytetit të Tetovës theksoi se platforma zgjedhore e partisë së tij ka për bazë agjendën e blertë e cila garanton jetë më cilësore për të gjithë qytetarët e Tetovës.

“Ju jeni fronti i parë ku sytë jo vetëm Tetova, por edhe qytetet tjera shqiptare në Maqedoni të Veriut i kanë të kthyera shikim e vëzhgim kush do të drejtojë me qytetin tonë. Tetova nuk është vetëm e tetovarëve por e shqiptarëve, është qytet i universiteteve. Është vendbanim i studentëve. Kush do nuk duhet të drejtoj me qytetin e shqiptarëve, me qytetin e së ardhmes. Nuk e di pse mu kujtua për një moment ambasadori Pardew, në një bisedë e pyesin se çfarë vlerësimi ka për BDI-në, për njerëzit që drejtojnë atë? Ai shprehet BDI i ngjan shqiponjës, fluturon me koncentrim dhe përqendrim dhe asnjëherë nuk e humb shënjestrën nga preja që duhet të kapë. Vëllezër e motra, për 20 vite, vërtet i ngjajmë shqiponjës pasi që vërtetë nuk e kemi humbur shënjestrën tek qëllimet, guximshëm kemi hapëruar sepse ne nuk kemi llogaritur a do të fitojmë mandatin e ardhshëm apo nuk do të fitojmë, por kemi bërë projekte dhe plane: A do të fitojnë shqiptarët në mandatin që ne do të qeverisim, a do të ecin përpara shqiptarët dhe janë marrë vendime guximshme, por ato vendime të guximshme dhe ato fluturime të lartësive i bëjnë bijtë e shqipes dhe ne vërtet kemi bërë. Guximshëm kemi hyrë edhe në këto zgjedhje lokale që për BDI-në regjistrojnë mbase 24 vite fitore dhe që nuk njeh humbje dhe unë jam shumë i sigurt që kjo me 17 tetor edhe do të ndodh, edhe në Tetovë edhe me Teuta Arifin për një mandat të tretë sepse jam shumë i bindur me ekipet duke filluar që nga bartësi i listës e me radhë, janë vërtetë të përkushtuar. Teuta ka përvojën e fituar që të ketë një mandat edhe më të mirë edhe më të realizuar ky që e pret nga 17 tetori e andej”, është shprehur kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.