Ali Ahmeti nga Bogovina: “Tërësisht mbështes Besnik Emshiun, rrethoni 3-shin“

Nën moton “Zgjidhë jetë voto blertë”, Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar fushatën parazgjedhore në Komunën e Bogovinës ku ka prezantuar Programin zgjedhor si dhe kandidatin për kryetarë të kësaj komune, Besnik Emshiu.

Para banorëve të komunës së Bogovinës, fjalë rasti ka pasur kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, kandidati për kryetar komune Besnik Emshiu.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti kërkoi mbështetjen e banorëve të Bogovinës për kandidatin Besnik Emshiu si dhe për listën e këshilltarëve duke theksuar se BDI ka Platformë zgjedhore e cila garanton zhvillimin e komunës dhe investime më shumë.

“Jemi bashkë këtu që të qëndrojmë krah Besnikut në realizimin e programit dhe jam shumë i sigurtë se investimet do të bëhen edhe më shumë. Nuk mund të jesh vend anëtarë i BE pa infrastrukturë, pa kanalizim e pa lidhje të të gjithë vendbanimeve, e me standarde të dyfishta. Agjendën që e kemi paraqitur e kemi menduar dhe studiuar mirë, sepse Agjenda jonë garanton një jetë më cilësore”, ka thënë kështu kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi tha se të gjitha projektet që janë në realizim e sipër në komunën e Bogovinës mbajnë vulën e Ali Ahmetit dhe BDI-së si dhe garancë kanë Qeverinë.

“Gjithë ato projekte që përmenden nga Besniku e që janë në realizim e mbajnë vulën e Ali Ahmetit dhe garancën e të gjithë neve në Qeveri që do të realizohen. Ne kur bëhemi bashkë edhe punojmë dhe i realizojmë. Nuk ka projekt që kemi premtuar e nuk e kemi realizuar. Duhet të bëjmë program të rid he ai program do të varet nga fitorja në komunat tona sepse do angazhohemi të realizojmë të gjitha projektet nga Likova në Strugë. E nisa fjalën me Naserin që duhet të kthejmë në ministri edhe dua të ju lus sinqerisht të gjithë juve që të mobilizoheni maksimalisht që në rreth të parë Besnikun të bëni kryetar të ri sepse pikërisht komuna e Bogovinës duhet të ketë njeri serioz e të ketë mbështetjen e Qeverisë të realizohen projektet. Kush do të jetë kryetar komune ne jemi garantues i suksesit dhe nuk mund tia lëmë komunën e Bogovinës në fatin e avanturierëve që nuk dinë të bëjnë me të e të kërkojnë ndihmë nga Qeveria. Ju jeni amanet i 2001 e i Ali Ahmetit e amaneti nuk harrohet, fjala e dhënë nuk mund të lihet prapa, Ali Ahmeti na ka thënë që të punojmë edhe më shumë për komunat që nuk menaxhohen nga BDI”, ka deklaruar kështu Artan Grubi, Zëvendëskryeministër i parë.

Kandidati i BDI-së për kryetar të komunës së Bogovinës, Besnik Emshiu tha se do të angazhohet për përmirësimin e klimës së biznesit dhe jetës më të mirë të banorëve.

“Do të ndërtojmë komunë moderne e të zhvilluar, transparente e të përgjegjshme, si dhe vendbanime me zhvillim të barabartë. Do të angazhohehemi për përmirësimin e klimës së biznesit, gjë për të cilen siguron mbrojtje të investitorëve, zbatim të përpiktë të marrëveshjeve, lehtësimin e procedurave të marrjes së lejeve, regjistrimit dhe kushteve të volitshme për biznes. Do të vazhdojmë me projektet jetike siç janë projektet për kanalizim për të gjitha vendbanimet e komunës, projektet për ujë për pije, shtimin e sasisë së ujit për pije në të gjitha vendbanimet e komunës , përmirësimin e infrastrukturës rrugore, rregullimin e shtretërve të lumejve dhe në veçanti rregullimin e shtratit të lumit në Bogovinë prej te ura deri ne magjistralen M-4. Përveç shumë projekteve të parapara, do të angazhohemi edhe për bashkëpunim të mirë me komunat fqinje dhe realizimin e projekteve ndërkufitare me Republikën e Kosovës dhe Shqipërisë”, ka theksuar kështu kandidati i BDI-së për komunën e Bogovinës, Besnik Emshiu.

Ndryshe, para Tubimit qendror në komunën e Bogovinës, delegacioni i Bashkimit Demokratik për Integrim i kryesuar nga kryetari Ali Ahmeti ka vizituar banorët e fshatrave Zherovjan dhe Pirok si dhe bizneset në këtë rajon.