Ali Ahmeti në malësinë e Tetovës: “Numri 3 dhe BDI bashkon tetovarët”

Bashkimi Demokratik për Integrim në tubimin e mbrëmshëm në fshatin Shipkovicë të Tetovës ka vazhduar sot fushatën e saj parazgjedhore duke prezantuar kandidatin për kryetar të kësaj komune Teuta Arifin, listën e kandidatëve për këshilltarë të kryesuar nga Blerim Osmani, si dhe programin e punës për mandatin e ri katëvjeçar. Banorëve të Shipkovicës iu drejtuan kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, kandidati për kryetar komune Teuta Arifi dhe bartësi i listës për këshilltarë Blerim Osmani. Kryetari i Bashkimit Demokratik përf Integrim Ali Ahmeti në fjalimin e tij ka thënë se Teuta Arifi do të ketë të gjithë përkrahjen e Bashkimit Demokratik për Integrim drejt fitores së rradhës dhe vazhdimësisë së zhvillimit të Tetovës.

“Të rrëfej një kujtim nga këto hapësira në vitin 2001 bashkë me bashkëudhëtarë mbrëmjeve ose gjatë ditës nëse gjenim hapësirë bënim një rrugë nga Shipkovica këtu, nga shtabi deri te ura e Brodecit ose edhe merrnim rrugë deri në Veshallë. Takoja njerëz të vendit, bisedoja me ta të gjithë pa përjashtim thoshin por më bënte përshtypje ajo thirrja e bukur “O Ali Ahmeti” a e sheh atë andej? Po e shoh. Ma ka vra kalin ma ka vra. Pse i thash, pse ta ka vra kalin? Ai PPD unë PDSH. Takoja tjetrin “O Ali Ahmeti”.

A e shef atë andej, mi ka djeg mullarët. Pse o axhë ti ka djeg mullarët. Të gjithë këta të afërt, tezakë, i hallës i dajës. Ai PPD unë PDSH. Ulem e bisedoj me z.Xhaferi me z.Imeri u them më besoni unë nuk kam hyrë të bëj parti politike. Unë kam hyrë në këtë veprimtari për tu çliru vendi, për tu barazu shqiptarët dhe lus Zotin që Marrëveshja e Ohrit të jetësohet dhe të materializohet por unë në parti politike nuk kam hyrë dhe u rrëfej të gjithë njerëzit çka më thoshin. E bëmë Këshillin koordinues fatkeqësisht nuk mbijetoi dhe të dy pleqtë më thanë bëne shtëpinë tënde sepse ndryshe nuk ia del dot.

U bë shtëpia ime. Nuk e kisha idenë ashtu siç e tha edhe Teuta. Të hysh në politikë sigurisht që dikush edhe do të të shajë, dikush edhe do të përqeshë, dikush edhe do të të nëpërkëmbë. Ua them si vëllau vëllaut, punën e parë që e kam bërë kur kam hyrë në politikë e kam hequr koburen sepse në politikë nuk hyhet me kobure në brez. As nuk hyhet të bësh luftë. Misionin e kisha marrë nga thellësia e këtyre malësorëve. Nuk jemi shumë për tu ndarë e për tu përçarë. Sa më bashkë të jemi aq më të fortë jemi edhe pranë vendorëve edhe pranë ndërkombëtarëve.

Me të dalë me agjendën e blertë pas dy ditësh ka kërkuar takim përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara këtu në Maqedoni, dy orë kemi folur për agjendën e gjelbërt dhe hiç pa ngurim ma tha 183 milionë dollarë pikërisht për këto përcaktime për këto agjenda ne i kemi të gatshme. Ne po u paraprijmë proçeseve. Agjenda para jush është agjendë fitimtare për të gjithë ne edhe për gjenerata që do vijnë pas nesh”, ka thënë para banorëve të Shipkovicës, kryetari i BDI-së Ahmeti.