Ali Ahmeti: Me hyrjen në BE, rrisim standardin jetësor, ndalim migrimin!

“Kjo nuk është fushatë elektorale, por takime tradicionale që BDI të komunikojë me qytetarët dhe të dëgjojë mendimet dhe vlerësimet e tyre”, kështu e filloi fjalën e tij në Shipkovicë të Tetovës Ali Ahmeti në suaza të takimeve që po i zhvillon me qytetarë dhe bazën partiake me moton “Bashkë për Europë”.

Ai theksoi se tani mision i BDI-së është anëtarsimi në Bashkimin Europian (BE), sepse vetëm ashtu, siç tha Ahmeti, ngritet standardi jetësor dhe sigurojmë paga më të larta për qytetarët tanë, jetë më stabile dhe me standard europian.

“Vetëm kështu ndalet migrimi! Ka skeptikë ashtu siç ka pasur gjithmonë edhe për anëtarësim në NATO, edhe për ministra, drejtorë e kryetar kuvendi shqiptarë, por janë punë që janë kryer më sukses. Më këto arritje kemi dëshmuar se ky shtet është edhe i yni dhe ne kemi ekipe të përgatitura që kemi investuar. Këto ekipe na kanë nxjerrë gjithmonë faqebardhë, jo vetëm përpara vendasve tanë por edhe përpara ndërkombëtarëve. Unë jam ndër nismëtarët për shkërmoqjen e ish-Jugosllavisë, ndaj ky pluralizëm politik na bën me dije të shohim se sa kemi arritur ne ndër vite. Unë gjithmonë jam pro reformave, por gjithmonë me parimin që shqiptarët të jenë zot në vendin e vet dhe të përfaqësuar në mënyrë dinjitoze. Jam maltretuar nga kreu i UDB-ës në Kërçovë vetëm pse kërkova me shokët e mi universitet në gjuhën shqipe në Shkup, por tash kohërat ndryshuan dhe ato kërkesa i kemi të realizuara. BDI është shtëpia e ushtarëve sepse 10.000 ushtarë nënshkruan për formimin e kësaj shtëpie me emrin BDI. Kuadrot tona kanë punuar fuqishëm drejt fitoreve, me platforma që janë realizuar”, theksoi Ahmeti.

Unë, u shpreh lideri integrist, gjithmonë do të përkrah rininë, sepse kanë kualitet, janë breza të shkolluar që edhe të huajt i kërkojnë.