Ali Ahmeti komenton qeverinë e re: Vetting në të gjitha nivelet

Zoran Zaev i mandatuar për krijimin e qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut i dërgoi të mërkurën (26 Gusht) parlamentit emrat e kabinetit qeveritar nga ku zëvendës kryeministri dhe 5 ministra do të jenë shqiptarë sikurse në 100 ditët e fundit të qeverisë kryeministri do të jetë shqiptar.

Ali Ahmeti tregon se si u arrit marrëveshja për qeverinë e re. Ai thotë se të dyja forcat fituesve në zgjedhje hoqën dorë nga barrikadimet duke marrë në konsideratë të shkuarën. Ahmeti flet për prioritetet e qeverisë së re që nga respektimi i marrëveshjes së Ohrit, asaj të Prespës dhe marrëveshja e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë.

Ahmeti thotë se duhet vetting në të gjithë shoqërinë e Maqedonisë së Veriut duke nisur nga ai i pari. “Kjo duhet të jetë e pashmangshme për të gjithë ata që janë në politikë dhe kanë mbajtur poste publike dhe duan të vinë në pushtet në rrugë të paligjshme”, thotë Ahmeti. Prioritet i qeverisë do jenë edhe përfundimi i autostradës Shkup-Qafë Thanë dhe Shkup-Prishtinë.

BDI që udhëhiqet nga Ali Ahmeti në Qeveri do të përfaqësohet me:
Artan Grubi zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Sistemit politik, Bujar Osmani – ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi – ministër i Financave, Kreshnik Bekteshi mbetet ministër i Ekonomisë, Naaser Nuredini ministër i Mjedisit Jetësor, Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës do të jetë Jeton Shaqiri, Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave do ta udhëheq Arijanit Hoxha nga Besa.