Ali Ahmeti e Nikolla Gruevski shpëtojnë nga bombat

Nga 1 korriku, Ligji i ri për Prokurorinë Publike hyn në fuqi. Ligji sjell një risi – bisedat e përgjuara ose të ashtuquajturat “bomba” nuk do të jenë më prova në sallën e gjyqit. Kjo vlen edhe për rreth 19 hetime nga ish-Prokuroria Speciale që i ka marrë Prokuroria Publike. Me ligjin e ri, publiku nuk do të dëgjojë bisedat në lidhje me rastet “Regjistrimi” dhe “Drejtuesit” ku dyshohen Ali Ahmeti dhe Nikolla Gruevski, pastaj për “Shërbimet e Huaja”, “Perandoria”, “Rëntgen”, ku dyshohet ish-ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov. Prokurori i përgjithshëm, Lubomir Jovevski pretendon se hetimet po zhvillohen. Ritmi u ngadalësua për shkak të koronavirusit dhe pamundësisë për të thirrur dëshmitarë në prokurori për marrje në pyetje.

“Me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për Prokurorinë, prokuroria nuk mund të përdorë materialet e përgjuara si prova, por vetëm si indikacione, siç thotë Ligji. Edhe nga këto raste që tani janë në duart e prokurorisë, është e mundur të merret një vendim i duhur i prokurorit publik pa përdorur këto prova- deklaroi Ljubomir Jovevski, Prokuror i Përgjithshëm.

Jovevski tregon edhe një herë se edhe pa “bomba”, prokurorët mund të paraqesin akuza. Alsat tashmë ka njoftuar se hetimi për rastin “I Fuqishmi ” është gati, dhe deputeti Antonio Milloshoski është i dyshuar. Ai tashmë ka marrë një vendim që hetimi ka mbaruar, por gjendja e fundit e jashtëzakonshme ka shtyrë afatin për ankesat. Kjo është në favor të Milloshoskit, sepse tani, nëse prokuroria paraqet akuza, do të jetë pas 1 korrikut. Kjo do të thotë që “bombat” nuk do të vlejnë në sallën e gjyqit kundër tij, dhe publiku nuk do të ketë mundësinë t’i dëgjojë ato.