Ali Ahmeti dhe Xhelal Bajrami, dëshmitar për rastin “Monstra”

Pas Zoran Zaevit dhe Gordana Jankulloskas, të cilët si ish-funksionarë të lartë kanë dëshmuar në lëndën gjyqësore “Monstra”, sot në seancë për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës duhet të dëshmojë edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Përveç Ahmetit, si dëshmitar duhet të paraqitet edhe bashkëpartiaku i tij, prokurori Xhelal Bajrami, i cili në vitin 2012, kur ndodhi ngjarja famëkeqe në Liqenin e Smillkovës e kryente funksionin e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme.

Për vrasjen e pesëfishtë më 12 prill 2012, kur u vranë djelmoshat Kire Triçkovski, Filip Sllavkovski, Cvetanço Ackovski, Aleksandar Naqevski dhe peshkatari Borçe Stefanovski, në procedurë paraprake për rastin me burgim të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailloviq, Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.

Procesin gjyqësor e udhëheq gjykatësi Ognen Stavrev, ndërsa përfaqësues të aktakuzës janë Fatime Fetai dhe Gavrill Bubevski.

Gjykata Supreme në dhjetor të vitit 2017 i pezulloi aktgjykimet, i liroi të dënuarit Agim Ismailloviq, Haki Aziri, Sami Luta dhe Fejzi Aziri dhe u caktoi masa kujdesi. Pas heqjes së aktgjykimeve, lëndën “Monstra” e ndërmori PSP dhe lënda u kthye në gjykim të sërishëm.